Shpend Ahmeti tregon se çfarë biseduan me Isa Mustafën
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka folur rreth takimit të sotëm që pati me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.
Kreu i PSD-së ka thënë se me liderin e LDK-së kanë shkëmbyer mendimet për mënyrën e koordinimit të opozitës për mundësisë e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj.
“U takuam me z. Mustafa ku shkëmbyem mendimet se si duhet të koordinohemi si opozitë që ta shtojmë edhe presionin opozitar por edhe të shohim se a ka mundësi që t’i bëjmë numrat për ta rrëzuar Qeverinë”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka treguar se janë pajtuar që takimet e liderëve opozitës të vazhdojnë edhe në të ardhmen. “U dakorduam që të mbajmë takime koordinuese. Iniciativa nuk është veçse ‘a po vini ta rrëzojmë Qeverinë’?, por kërkojmë që t’i koordinojmë hapat të merremi vesh, që mocioni të jetë i suksesshëm. Besoj se do të kemi edhe takime të tjera para se të kemi një strategji finale”, është shprehur Ahmeti. (klankosova)