Shpend Maxhuni flet për arrestimin e Marko Gjuriqit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka thënë se veprimi djeshëm për arrestimin e Marko Gjuriqit ka qenë tërësisht ligjor dhe se Policia e Kosovës ka kapacitet të mbrojë integritetin territorial të Kosovës.
Ai gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri për raportin vjetor për vitin 2017 dhe ngjarjet e fundit në veri, ka thënë se për ndalimin e djeshëm të zyrtarëve serbë ka pasur një vendim të Qeverisë dhe se veprimi ka qenë tërësisht ligjor.
“Kemi pasur një vendim të Qeverisë për të ndalë hyrjen e Marko Gjuriqit dhe disa zyrtarëve të Serbisë. Ne e kemi zbatuar. Ai vendim është ekzekutuar nga njësitë kompetente në pjesën veriore”, ka thënë Maxhuni.
I pari i Policisë e ka mohuar se ka pasur refuzim nga komandanti i policisë në veri për të zbatuar urdhrat.
“Me përgjegjësi e them se nuk ka pasur refuzim të urdhrave nga komandanti i Policisë në veri, të gjithë kanë qenë në krye të detyrës”, ka thënë Maxhuni.