Shpend Maxhuni intervistohet për dëbimin e gjashtë gulenistëve nga Kosova
Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq do të mbajë sot takim, ku do të intervistohet ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë.
Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke.
Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunkan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.
Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.
Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, pati deklaruar për media se ky komision dëshiron ta kuptojë të vërtetën se çfarë ndodhi ditën e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.
Ndryshe, deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit, ndërkohë që Sveçla pati thënë se do të vazhdojnë intervistimet edhe të zyrtarëve tjerë policorë.