SHPENGIMI I I KËNDIMIT TË NDJESISË SË DASHURISË

17 janar 2021 | 18:21

Shkruan: Prend BUZHALA

(Blerina Tërbunja: “Sogjetarë të hënës”, poezi, Lena graphic, Prishtinë 2020)

Te vëllimi poetik i Blerina Tërbunjës “Sogjetarë të hënës”, poetja parapëlqen qeniet e bukura. E bukura e këtyre qenieve është sinonim lirik i dashurisë, i protagonistëve të dashuruar; protagonistë lirikë që e shqiptojnë këtë bukuri të emocionit ashtu si ndjehen brenda. Së këndejmi, kryeaspirata e jetës mbetet lumturia. Ja një tjetër atribut që i shkon kërkimit të vlerave të parme të jetës. Ndryshe nga gjendja e lumturisë, ku asgjë nuk mungon, poetja gjakon etjen e emocionit të bukur të jetës dhe dashurisë dhe mbjell farën e së ardhmes së këtij gjakimi për të lëvizur përpara.

1. Gjakimet lirike të erosit, kërkesa për çlirim të plotë

Kur poetja ka përzgjedhur për titull të veprës së saj leksemën figurative sogjetarë, madje në togfjalëshin poetik sogjetarë të hënës; ajo na sugjeron se jo vetëm dy çiftet e dashuruar, por të gjithë duhet të jenë pjesë e kësaj bashkësie të vullnetit të lirë. Duket sikur personazhja lirike mbyllet në vetvete, e shkëputur nga kjo bashkësi, por vargjet na e shqiptojnë edhe një të vërtetë tjetër: se shpëtimtar a rojtar i vetvetes je ti vetë, për të mos e lejuar qenien tënde të mbytet e zhytet në fatkeqësi, dëshpërim, apo në situata të pashpresa. Lodhja dhe rraskapitja janë gjithandej në këto përpjekje, madje lexojmë edhe sfilitjet e brendshme, por aty janë edhe betejat e saj shpirtërore, si beteja jete, sepse vetëm kësisoj edhe shpirti i njeriut edhe njeriu vetë janë në lëvizje, janë, siç thotë ajo “për me më ringjallë”:

digjem

bahem hi

nga hiri

ringjallemi

feniks

Po ky subjekt lirik shkon aty ku e thërret ky zë i gjakimit të erosit. Së këndejmi, kjo ndjesi e dashurisë mbetet më fisnikja, kurse gjendja më e mrekullueshme që ngjet në jetën e njeriut, është kur dashurohen dy të rinj dashurohen. Folësja lirike e kësaj poezie ligjëron në veten e parë; ajo nuk ka se si të mos i drejtohet në veten e dytë qenies që e do:

Pafundësia e syve tu

më përbiu dashunisht

Kupidi u zhvesh nga shigjetat

unë u bëra hark që digjej zjarrmie

në t’bardhtë e syve tu

Fluturime imagjinative nëpër qiell, janë shfaqje gjakim-dëshirash e pasionesh, një dëshirë për çlirim total, për ta ndjerë lirinë e plotë, dhe për ta përjetuar këtë botë nga lartësia, nga majat. Dëshirat e gjakimet shfaqen aty ku ka një pengesë. Aty ku ka end paragjykime. Pors eky qiell nagnjëehrë edhe errësohet, për të shënjuar këlshtu situatat e vrullshme e të stuhishme të jetës:

Nata u vesh me kostumin e errët

atë kostumin solemn që e ruan

ta vesh vetëm netëve të mëdha

Prandaj ajo lektiset pas ndriçimit dhe dritës. Dhe këlto lektisje malli vijnë e mbushullohen nga poezia në poezi.

Ndryshe, erosi lirik nuk do të ishte i tillë, pa dramën e kësaj ndjesie. Erosi e qielli janë sinonime të njëra-tjetrës, sepse nuk e durojnë barrën e pengesës, mbulesës a të humbjes. “Nuk ka art pa Erosin” do të thoshte shkrimtari i shquar Max Frisch.

Të duket sikur secila lirikë është një rrëfenjë më vete e këndimit të dashurisë. Dhe aty gjenden vetëm dy protagonistë, sikur bota përreth është e shkyçur pothuajse tërësisht.

Me kangën e zakonshme

leu’ dielli buzëgaz

malli m’ka çel bash si lulen e parë

aromë pranverore e mjesit të bardhë

paskam blerue dashunisht për ty

tuj pritë me ardhë

Diell e Hanë nuk ka për mue

unë rrotullohem veç rreth teje

kujt i bën që ndërrohet

nata me ditën

e dita me natën

nuk e vërej ndryshimin

më ka përfshi mungesa jote

(Poezia “Diell e hanë nuk ka për mue”)

2. Kozmogonia poetike e përsiatjeve

Vërehet që folësja lirike nuk do të jetonte në harmoni me vetveten e as me gjithësinë, po qe se nuk e kanë shenjë të veten yjet:

ndër yjet plot dritë

Ky yll emnin tand e ka

përjetësisht

Figura e tilla kozmike shtrohen gjithandej nëpër libër, siç janë asteroidet, dielli, yjet, qielli e sidomos hana; apo nata, dita, sekuencat e shumta kohore intime. Në një tjetër mënyrë, folësja lirike e kësaj poezie nuk e ndien frymëmarrjen e ekzistencës dhe të gjallimit; as dashuria nuk ka kuptim pa këtë frymëmarrje të gjerë.

Ndërkaq, poetja arrin të dalë nga ky rreth gjendjesh emocionale, atëherë kur përsiat për këtë ndjesi, e ku emocioni kontrollohet, ku vizioni lirik shfaqet në trajta të shumta të marrëdhënieve të dashurisë dhe ku këto marrëdhënie përjetohen në pikën më të lartë. Është aty kozmogonia poetike e kësaj ndjesie, një kozmogoni lirike e tipit lasgushian të përsiatjeve:

Qielli futet në lojë pa pyetur fare

në lojën e vogël të njeriut

kështu dimensionet hapen para nesh

na përbijnë

na marrin me vete

me gjithë botën tonë të vogël

e ajo sillet e sillet veç rreth boshtit të vet

rreth vetvetës

Është pa rëndësi kush e pa i pari

unë apo ti

këtë copë gurë që po ecte mendueshëm

rrugës së tij

Dhe figura e gurit nuk është e rastësishme:

Ra ky asteroid e u pamë

na bëri të shohim aq thellë në universin tonë

e gjetëm vetën krejt papritmas

paska qenë te hija jonë

Figura e këtij guri a asteroidi, në simbologjinë letrare ndërlidhet me kohezionin e qenies dhe me pajtimin harmonik me vetveten, me fortësinë dhe qëndrueshmërinë e këtij emocioni, pra jo luhatjes, është antitezë e asgjësë, pluhurit. Ndodh të copëtohet dhe atëherë kemi shpërbërjen e kësaj ndjesie. Porse poetja nuk e pranon këtë shpërbërje. Për gurët që bien nga qielli janë ngritur edhe mite, madje mitet më të bukura të dashurisë, ata janë shpjegim i origjinës së jetës, madje edhe i emocionit më të mahnitshëm,  siç është dashuria. Në mitologji gurët janë objekte adhurimi, janë objekte kremtesh. Por poetja di az fisnikërojë këtë figurë mitike.

“Sfida e dashurisë është edhe sfidë e gjuhës, që sugjeron një marrëdhënie me gjuhën”, do të thoshte Serge Martin në një studim mbi erotikën lirike. Marrëdhënia e tillë ligjërimore poetike, na shpie nga e përditshmja tek e jashtëzakonshmja, nga retorika e përjetimit të rëndomtë tek hyjnorja e emocionit të tillë. Së këndejmi, kemi rendin e leksemave të tematizuara si mall, kujtim, përafrim, vetmi, deri te misteri i marrëdhënieve të sekreteve ligjërimore trup/shpirt. Aty ka një elegji këndimi që shkon deri te energjia e jetës dashurore. Edhe kur shqiptohet një mesazh, ai duhet të jetë vetëm qiellor:

O yll që shndritë këtë natë plotë butësi

zbit poshtë

shikoje mallin tim për të

merre këtë mall

e shko tek ai

thuaji

Blerina thau barin e blertë

sepse ti nuk erdhe

(Poezia MESAZH QIELLOR)

Qielli është një tjetër rend leksemash figurative që përdoret shpesh te kjo lirikë. Thuhet se qielli është simbol i shpirtit, paqes dhe parajsës. Ëndrrat lidhen asociativisht e figurativisht me qiellin dhe shqiptojnë ndjesitë e brendshme, shfaqin gjendjet shpirtërore. Në poezinë botërore qielli përfaqëson edhe mendjen. Dëshirat më të bukura, ato më mahnitëset përfaqësohen me qiellin. Është gjakimi për çlirim të plotë nga secila prangë jete, nga secila pengesë.

Hëna ( e leksikalizuar në trajtën gege hana), është vëzhguese, është dëshmitare dhe rojtare, sogjetare e kësaj ndjesie. Ajo është simbol i botës femërore, që nga periudha e matriarkatit, simbol i triumfit të femrës së penguar, kurse dielli është atribut i botës mashkullore. Hëna dhe dielli përbëjnë çiftin kozmik, ashtu si një burrë e një grua e ndriçojnë universin e jetës. Madje, në mite ka legjenda për martesën e diellit me hënën. Kurse poetja na e thotë me ligjërimin e saj poetik. Porse këto gjendje e situata emocionale nuk do të ishin të bukura, sikur nëpër to të mos shfaqeshin edhe malli, vetmia, një lëndim i pasionit, i etjes, i mungesës.

Kështu kam me t’knue

nëpër vargje deri t’mshefet hana

tutje krahas me diellin

deri në zenit kam me udhëtue

në buzë kam me t’i shtrydhë tana andrrat

3. Shpengimi ligjërimor përmes prirjes licentia poetica

I tërë vëllimi ka një unitet të brendshëm tematik, ideor e motivor.

Strukturimi i tillë e ngre këtë vëllim në një nivel më të lartë kërkimesh të thënies lirike. Përdorimi i të foleve gege, i trajtave gege të leksikut lirik, ka një tjetër pikësynim po aq domethënës. Nuk është e rastësishme pse poetja e kërkon këtë mënyrë këndimi, se i duket ligjërim më afër zemrës, ëmbëlsi ligjërimi, më adër kësaj ndjesie, siç e përdor ndonjëherë edhe fjalën mjaltë. E bën këtë ndërgjegjshëm, që edhe në anë të gjuhës ajo të jetë e shpenguar, e njohur si parim i licentia poetica.

Kjo do të thotë që frazeologjizmat lirike, të vjela nga e përditshmja, arrijnë të rindërtohen, të rikrijohen me ndërgjegje të plotë artistike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona kanë humbur jetën pasi janë zënë nga një…