Shpërblimet, rreziqet dhe limitet për Rusinë në Lindjen e Mesme
Më 16 tetor, bombardimet ruse goditën një punishte të orendive, një fabrikë druri dhe një shtypëse ulliri në provincën Idlib të Sirisë, duke i vrarë 10 civilë, përfshirë fëmijë, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani të Madhe, dhe Mbrojtjes Civile Siriane “Helmetat e Bardha”.
Dy ditë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e luajti paqebërësin në një takim me gazetar nga vendet e kombeve të BRICS-it, i cili do të mblidhet këtë javë, duke thënë se Moska është e gatshme të bëjë çfarëdo që mundet për t’i dhënë fund atyre që ai i cilësoi si “sulme të tmerrshme ndaj civilëve në Rripin e Gazës”, dhe duke e ofruar shërbimet e Moskës si ndërmjetës.
“Unë shpresoj shumë se përshkallëzimi i këtij konflikti mund të shmanget”, tha Putin.
Derisa bombardimet vdekjeprurëse të Rusisë në Siri e kundërshtojnë atë pretendim, dëshira për ta shmangur një luftë më të gjerë mund të jetë e mirëfilltë: Kremlini ndihet rehatshëm me shkallën e tanishme të dhunës në Lindjen e Mesme, sepse mund ta shfrytëzojë kaosin për t’i çuar përpara interesat e vet në këtë rajon, në Ukrainë, dhe në gjithë botën, thonë analistët.
“Lufta, trazirat dhe politika kaotike e SHBA-së ia kanë lehtësuar Rusisë manovrimin” në Lindjen e Mesme, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Thanassis Cambanis, drejtor i Century International, një organizatë me bazë në SHBA.
Ka disa arsye pse shkalla e tanishme e gjakderdhjes dhe dhunës në Lindjen e Mesme i leverdisin Moskës.
Një prej tyre është ajo që Hanna Notte, eksperte për politikën e jashtme të Rusisë me bazë në Berlin, e quan “dividenti i shpërqendrimit”. Kriza e heq vëmendjen e botës nga Ukraina, ku forcat e Moskës po vrasin civilë pothuajse çdo ditë në një pushtim brutal që po shkon drejt vitit të katërt dhe të cilit nuk po i shihet fundi.
Kjo krizë i detyron Uashingtonin dhe aleatët e tij të shpenzojnë para, armë dhe burime në Lindjen e Mesme, edhe pse ata njëkohësisht përpiqen të mbajnë Rusinë nën kontroll në një luftë në Evropë, rezultati i së cilës do të ketë pasoja të mëdha për Perëndimin.
Përveç atij përfitimi praktik, ekziston një përfitim propagandistik që mund të jetë edhe më i rëndësishëm për Putinin, i cili e paraqet luftën në Ukrainë si pjesë e një përballje civilizuese me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, dhe po përpiqet të tërheqë sa më shumë vende të botës më afër Rusisë.
“Animi në rritje”
Prej kur Putini e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të tij në shkurt 2022, “përballja me Perëndimin mbi Ukrainën është bërë logjikë përcaktuese që udhëheq politikën ruse” në Lindjen e Mesme, tha për REL-in Notte, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Prandaj, sulmet e Izraelit në Gazë dhe në Liban janë burim i pasur që Moska po e shfrytëzon, në përpjekje për t’i afruar afër vetes vendet nga Jugu Global dhe nga bota në përgjithësi, duke e paraqitur dhunën në Lindjen e Mesme si produkt të politikave të gabuara dhe shkatërrimtare të Perëndimit, dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara.
Për Kremlinin, përdorimi i krizës në Lindjen e Mesme dhe luftës në Gaza si municion kundër Uashingtonit është diçka e sigurt qartë, tha Alex Vatanka, drejtor i Programit Iranian në Institutin për Lindjen e Mesme me bazë në Uashington.
“Kjo e dëmton vërtet SHBA-në, jo vetëm në… Lindjen e Mesme, por ndërkombëtarisht, përfshirë në brenda Shteteve të Bashkuara”, tha Vatanka për REL-in.
Megjithatë, në të njëjtën kohë, ndikimi i Rusisë në Lindjen e Mesme ka kufizime. Tani për tani, Rusia mund të veprojë përtej peshës së vet në rajon, duke pretenduar një rol të rëndësishëm pa bërë shumë, por shpërthimi i një lufte më të gjerë mund t’i shfaqë qartë dobësitë e saj.
Lufta kundër Ukrainës e ka ushqyer “animin në rritje të Moskës drejt forcave anti-Perëndimore në rajon”, tha Notte.
Pra, Iranin – i cili furnizon Rusinë me armë dhe e ndihmon atë t’i shmangë sanksionet – dhe atë që Teherani e quan “Boshti i Rezistencës”: grupet, përfshirë Hamasin, grupi palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja; Hezbollahun në Liban, i cili gjithashtu është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërsa BE-ja e ka në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur; dhe rebelët Huthi në Jemen.
Ndikimi i kufizuar
Por, Rusia ende po përpiqet të mbajë një ekuilibër në Lindjen e Mesme: Ajo nuk dëshiron t’i largojë shumë nga vetja Izraelin apo shtetet e Gjirit Persik. Nga ana tjetër, ajo ka pak ose aspak mundësi për t’i kthyer këto vende kundër Shteteve të Bashkuara, pavarësisht se ato mund të bashkëpunojnë në disa fusha.
Rusia dhe Irani kanë “sisteme shumë të ndryshme dhe këndvështrime shumë të ndryshme mbi botën” dhe ajo që kryesisht i bashkon është anti-amerikanizmi, tha Vatanka.
“A mund ta marrë Rusia këtë model dhe ta zgjerojë në… vende të tjera të rajonit, si Turqia? Përgjigja është jo”, tha ai. “Vetëm pse një vend i bashkohet [Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait] ose BRICS-it, nuk do të thotë që është i gatshëm të ndryshojë ekip, nëse mund të thuhet kështu”, dhe t’i braktisë Shtetet e Bashkuara.
Për më tepër, pavarësisht fjalëve të ngrohta dhe marrëveshjeve — si pakti i “partneritetit strategjik gjithëpërfshirës” që pritet ta nënshkruajë së shpejti Rusia me Iranin — përqafimi Teheranit dhe aleatëve të tij nga Moska shtrihet vetëm aq sa interesat e Kremlinit e lejojnë, të paktën tani për tani.
“Rusët… nuk duan ta fuqizojnë ‘Boshtin e Rezistencës’. Ata duan ta përdorin ‘Boshtin e Rezistencës'”, tha ai.
Vatanka tha se Putini dëshiron të ruajë status quo-n në rajon në këtë kohë, sado e pasigurt dhe e përgjakshme të jetë.
Të tjerët pajtohen.
“Një rëndësi e caktuar”
“Niveli i tensioneve dhe zhvillimet deri tani nuk i kanë kërcënuar interesat apo pozitat ruse në rajon”, tha Notte. “Por, ne mund të kalojmë në një pikë kulmore, veçanërisht nëse ka sulme izraelite kundër Iranit, ose një përkeqësim të konsiderueshëm në Siri, ku ai ekuilibër mund të ndryshojë dhe… rreziqet fillojnë t’i tejkalojnë disa nga përfitimet”.
Pasi lufta në Ukrainë është “prioriteti i saj dhe kërkon kaq shumë kapacitet nga Rusia”, Moska “nuk ka dëshiruar ta shohë një situatë në Siri ku paqëndrueshmëria rritet ndjeshëm, ose Rusia do të duhej t’i… intensifikojë përpjekjet e saj atje”, tha ajo.
Sa i përket Iranit, një sulm izraelit mund ta vërë nën presion të madh industrinë e tij të mbrojtjes, tha ajo, “diçka që Rusia ndoshta nuk dëshiron ta shohë, duke pasur parasysh partneritetin e forcuar që ata kanë me iranianët”.
“Një tjetër gjë që do të ndodhte nëse izraelitët do ta sulmonin Iranin është se një impotencë e caktuar ruse mbase do të ekspozohej, sepse nuk mendoj se Rusia mund të përfshihet në mbrojtjen e Iranit në rast të një përshkallëzimi të tillë dhe hakmarrjes izraelite”, tha Notte. “Rusia ndoshta do të duhet të qëndrojë mënjanë, gjë që mund ta… dëmtojë reputacionin e Rusisë”.
Moska do të vazhdojë të përpiqet të mbajë një barashpeshë, por “sa më e madhe të jetë trysnia ndaj ‘Boshtit të Rezistencës’ në rajon, aq më shumë mund ta shohim Rusinë duke ofruar ndihmë të caktuar për partnerët iranianë si, Huthit dhe Hezbollahu”, tha ajo. “Rusia mund të jetë më proaktive”.