Shpërfillja e Kurtit ndaj prokurorisë, Ambasada britanike: Respekti për sundimin e ligjit është tipar kryesor i demokracisë së Kosovës

05 mars 2025 | 13:21

Kryeministri i Kosovës dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka disa muaj që është duke refuzuar thirrjen e Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur para prokurorëve në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore.

Kurti s’ka përfillur as urdhrin e Gjykatës së Prishtinës që e kishte obliguar për t’u paraqitur të martën në orën 10:00 para Prokurorisë Speciale, dhe nga qyteti i Gjilanit ku po vendoste themelet e një çerdheje, ka vazhduar sulmet e tij ndaj institucionit të Prokurorisë me akuzën se në këtë çështje ka interferime politike.

Lidhur me këtë refuzim të Kurtit ndaj Prokurorisë dhe mospërfillje të gjykatës, në një përgjigje për “Express” kanë folur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, duke potencuar se respekti ndaj sundimit të ligjit është tipar kryesor i demokracisë së Kosovës.

Ambasada britanike ka kërkuar nga të gjithë të përfshirët në rast, të respektojnë Kushtetutën dhe procedurat ligjore dhe të punojnë për atë që është në interesin më të mirë të Kosovës.

“Respekti për sundimin e ligjit është një tipar kryesor i demokracisë së Kosovës. Ne kërkojmë nga ata që janë të përfshirë në këtë rast që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në respekt të proceseve ligjore dhe të punojnë në atë që është interesi më i mirë i Kosovës”, kanë thënë nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Ftesa nga Prokuroria fillimisht i kishte shkuar Kurtit në dhjetor të vitit të kaluar. Kjo nga Qeveria ishte interpretuar edhe si ndërhyrje në zgjedhje, meqë Kosova me 9 shkurt do të mbante zgjedhjet e përgjithshme.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, kishte shkruar zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e…