Shpërfillja e simboleve shtetërore, rreziku për identitetin dhe unitaritetin e Kosovës

20 dhjetor 2024 | 14:08

Shkruan: Hisen Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës

Mosrespektimi ose shpërfillja e simboleve shtetërore nga një parti politike pjesë e sistemit politik shtetëror, veçanërisht kur bëhet fjalë për partinë që qeveris në vend, është një çështje që ngre pikëpyetje serioze për sa i përket mesazheve politike dhe simbolikës që përcillet te qytetarët.
Kjo sjellje ushqen pretendimet serbe dhe të aleatëve të saj, mbi “panevojshmërinë” e ekzistimit të shtetit të pavarur të Kosovës, me idenë tehuajsuese për “republikën e tretë” në vend të pavarësisë dhe “alternativë të re” për asociacionin, mohimin deri në cenim të unitaritetit të shtetit.

Kjo frymë reflektohet edhe në marrëveshjet e arritura të kësaj qeverie me Serbinë, në vitin 2023, (Plani Franko-Gjerman dhe Statuti i BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe), të cilat konsiderohen nga çdo instancë vlerësuese vendore e ndërkombëtare si dëshmi të rrezikimit të integritetit dhe sovranitetit politik të Kosovës.

Ky qëndrim përbën një sfidë për konceptin e unitetit shtetëror dhe për shtetin si një entitet i ndarë nga përkatësitë etnike.

LVV, si parti që fitoi votën e shumicës së popullit, mosnjohja e injorimi i simboleve shtetërore është sinjal i dobësimit të identitetit shtetëror dhe forcimit të narrativës intriguese të LVV-së dhe Kurtit për bashkimin kombëtar. Por, Kosova si shtet i pavarur, sovran e demokratik, është i përkufizuar me Kushtetutën e vet.

Qasja e tillë e Kurtit dhe lëvizjes së tij ka ndikime të dyfishta!
Nga njëra anë, mund të forcojë identitetin etnik te një pjesë e qytetarëve; nga ana tjetër, mund të minojë legjitimitetin e shtetit të Kosovës në sytë e komunitetit ndërkombëtar dhe nxisë idetë separatiste te minoritetet që jetojnë në vend. Kjo është kthyer në cënim të sigurisë politike nga tensionet e brendshme ndëretnike.

Një parti me ndikim të tillë duhet të marrë në konsideratë përgjegjësinë që ka për të kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e shtetit kushtetues, pavarësisht dallimeve ideologjike apo historike. Sado që iniciativa qytetare për identitetin antik të shtetit tonë toponomistik dhe heraldik dardan, ka një mbështetje plebishitare.

Simbolet shtetërore nuk janë vetëm një çështje estetike dhe emocionale, por përfaqësojnë unitetin dhe sovranitetin e vendit.

Kjo qasje nuk është e rastësishme, duke pasur parasysh që VV-ja ka cilësuar shpalljen e pavarësisë si një “akt tradhtie” dhe e ka parë projektin e shtetësisë së Kosovës si një “zgjidhje të përkohshme”, të imponuar nga faktorë ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, shpërfillja e tyre mund të interpretohet si një veprim polarizues dhe i dëmshëm për stabilitetin politik dhe shoqëror në Kosovë, i cili nga këto sjellje ka bërë që të jetë i brishtë dhe i diskutueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fundjava do të sjellë super derbi në javën e 13-të…