Shpërndahen 150 pako ushqimore për familjet me gjendje të rëndë sociale në Gjilan
Në shenjë solidariteti me familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, të martën organizata “Islamic Relief Kosova”, tashmë e njohur me aktivitetet e saj humanitare, në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë, konkretisht me Qendrën për Punë Sociale në Gjilan, kanë shpërndarë 150 pako ushqimore.
Me këtë rast, drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemaili, ka falënderuar organizatën për këtë donacion, i cili sipas tij është i mirëseardhur për familjet në gjendje të rëndë sociale.
“Falënderoj organizatën e cila ka sjellë këto pako ushqimore për familjet në nevojë. Jemi duke punuar vazhdimisht për ndryshimin e gjendjes në mënyrë që rastet të cilat kanë mungesën e ushqimit në sofër, të jenë përditë e më pak”, ka thënë Xhemaili.
Kurse, Blerim Gashi, në emër të organizatës “Islamic Relief Kosova”, ka thënë se janë duke bërë shpërndarjen e pakove ushqimore për 150 familje, prej tyre 120 që janë përzgjedhur nga Qendra për Punë Sociale dhe 30 familje i ka përzgjedhur organizata, të cilët kanë jetimë në familje.
/Epoka e re/