Shpërndahen 350 kontejnerë në fshatin Koshtovë të Mitrovicës
Në kuadër të zbatimit të planit komunal për menaxhim të mbeturinave, Drejtoria për Mbrojtjen e Mjedisit ka bërë shpërndarjen e rreth 350 kontejnerëve me kapacitet 120 litra, për ekonomi familjare në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.
Drejtori për Mbrojtje të Mjedisit, Asllan Isufi është shprehur mjaft i kënaqur me realizimin e projekteve që po bëhen në të mirë të qytetarëve.
Projekti i cili është implementuar në fshatin Koshtovë, është realizuar me kërkesë nga Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, si dhe është mbështetur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo drejtori, ditë më parë ka përmbyllur me sukses procesin e ndarjes së rreth 600 kontejnerëve, me kapacitet 240 litra, i cili ishte një pilot projekt donacion nga GIZ-i gjerman, të cilët do të shërbejnë për ndarjen e mbeturinave te riciklueshme në lagjen “Ilirida” në qytetin e Mitrovicës.
/Epoka e re/