Shpërndahen 380 pajisje bujqësore për fermerët lipjanas
Komuna e Lipjanit ka pajisur me makineri bujqësore 380 fermerë nga subvencionet e ndara nga buxheti i komunës.
Kjo përkrahje e fermerëve është bërë përmes shpërndarjes së frezave, spërkatësve dhe shpërndarësve të plehut.
Kryetari i komunës, Imri Ahmeti, gjatë procesit të shpërndarjes së këtyre pajisjeve bujqësore ka thënë se ky lloj subvencionimi ka për qëllim zhvillimin dhe avancimin e bujqësisë në Lipjan.
“Me këtë përkrahje ndaj fermerëve do të avancojmë dhe ta zhvillojnë bujqësinë edhe më tutje, ne do të vazhdojmë që edhe në vitet e ardhshme të mbështesim fermerët tanë me qëllim të lehtësimit në punën e tyre por edhe në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve bujqësore”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se kjo pasuri le të shërbejë që të punohet çdo pëllëmbë tokë.
Ndërsa drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Rexhep Rexhepi, ka pohuar se kjo ndihmë është e mirëseardhur për fermerët lipjanas, të cilët do ta kenë me të lehtë punën në bujqësi.
“Është investuar mjaft shumë në infrastrukturë si: shkolla, çerdhe të reja, ura e shumë projekte të tjera por kjo është një ndihmë tjetër e cila do t’i ndihmoj direkt bujkut, gjë e cila do të ndikoj në zhvillimin e komunës”, ka thënë drejtori Rexhepi.
Të lumtur me këtë mbështetje u shprehën edhe fermerët përfitues, ata falënderuan komunën konkretisht kryetarin Imri Ahmeti i cili për çdo vit po gjen mundësinë për t‘i përkrahur ata.