Shpërndahen fidanë të lajthisë për fermerët ferizajas
Drejtoria Komunale për Bujqësi dhe Pylltari në Ferizaj, në bashkëpunim me organizatën IKC kanë bërë shpërndarjen e fidanëve të lajthisë për 15 përfitues të cilët do të mbjellin 50 ari tokë.
Shpërndarjen e këtyre fidanëve e ka përcjellë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë Burim Bajrami si dhe përfaqësuesi i IKC-së Ekrem Bajrami.
Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami ka thënë se shpërndarja e këtyre fidanëve po bëhet në bashkëpunim me organizatën IKC.
“Kjo shpërndarje po bëhet për 7.5 hektarë me kulturën e lajthisë, ndërsa përfitues janë 15 persona. Secili përfitues do të mbjell 50 ari tokë me lajthi si dhe do të kenë edhe sistemin e ujitjes pikë-pikë. Natyrisht edhe në bazë të konsultave që kemi pasur me ekspertet e bujqësisë dhe me drejtuesit e IKC-së konsiderojmë se është një kulturë e re brenda komunës së Ferizajt, dhe produktiviteti i këtyre llojeve të lajthive ja vlen që të investohet te fermerët tanë dhe çmimi i tregut natyrisht që është i leverdishëm”, ka thënë drejtori Bajrami.
Ndërsa, përfaqësuesi i IKC-së, Ekrem Bajrami ka thënë se lajthia është një kulturë e cila e ka tregun e hapur.
Gjatë këtij viti, Drejtoria e Bujqësisë do të bëjë edhe shpërndarjen e disa subvencioneve të tjera për fermerët ferizajas.
/Epoka e re/