SHPËRNDAHET KUVENDI
Me 89 vota për është shpërndarë legjislatura e VI e Kuvendit të Kosovës.
Të pranishëm në sallë kanë qenë 106 deputetë, raporton “Epoka e re”.
Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi që të njëjtën ditë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.
Subjektet politike si data më të përafërta për zgjedhje e kanë përmendur 29 shtatorin dhe 6 tetorin.
/Epoka e re/