Shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme
Nga Bekim Çollaku
Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme janë angazhimet e vetme të partive politike parlamentare në këtë periudhë. Në fakt, këto duket e se janë temat e vetme të cilat i bashkojnë partitë opozitare me partinë në pushtet. Së paku, perifrazimi i deklaratës së kryeministrit se “është i gatshëm për t’i ndihmuar partitë opozitare për të votuar një mocion për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme” mund të jetë premtimi i vetëm që ai mund ta realizojë gjatë mandatit të tij. Kjo situatë duhet të qartësohet shumë shpejt, sepse Kosova aktualisht është e bllokuar dhe nën sanksione. Prandaj, partitë politike opozitare të cilat vërtetë janë të interesuara për zgjedhje të parakohshme, nuk mund ta përdorin këtë situatë për të provuar për ta poshtëruar kryeministrin aktual duke insistuar në dorëheqjen e tij, apo votimin e një mocioni mosbesimi kundër qeverisë aktuale. Insistimi eventual në këtë dy opsione i cilës do parti opozitare, është tregues i qartë se ato nuk janë të gatshme dhe të interesuara për zgjedhje të parakohshme. Prandaj, opsioni i vetëm real dhe i mundshëm, i cili ruan në një masë edhe fytyrën e kryeministrit, mirëpo edhe siguron mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, është shpërbërja e Kuvendit të Kosovës pa humbur kohë. Gjithçka tjetër, është humbje kohë në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Zgjedhjet e parakohshme do të kenë kuptim të plotë ligjor dhe praktik vetëm në rast se ato mbahen brenda një periudhe shumë të shkurtër, në të kundërtën, kjo qeveri duhet ta përfundojë deri në fund mandatin e saj.
Përderisa, partia në pushtet duket se është e gatshme për zgjedhje, së paku në mënyrë deklarative, e njëjta gjë ende nuk mund të thuhet edhe për partitë opozitare. Kështu, në njërën anë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkon dhe insiston në dorëheqjen e kryeministrit si opsion për zgjedhje të parakohshme. Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon votimin e mocionit të mosbesimit ndaj kryeministrit dhe qeverisë. Këto dy opsione janë turpëruese për kryeministrin dhe qeverinë, prandaj si të tilla, edhe të papranueshme. Prandaj, duket se barra e arritjes së një konsensusi politik për të mundësuar zgjedhjet e parakohshme, i mbetet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në çdo rrethanë, kjo paqartësi do të marr fund në momentin kur do të kërkohet votimi për shpërndarjen e kësaj legjislature. Në çdo rrethanë, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të rregullta apo të parakohshme nuk është larg. Prandaj, brenda këtij konteksti politik zgjedhor, sytë e qytetarëve, sytë e votuesve janë te drejtuar tek partitë politike dhe programet e premtimet e tyre për këto zgjedhje. Realiteti i hidhur aktual është se Kosova po ballafaqohet me sfida të mëdha politike, ekonomike dhe sociale. Kosova ndodhet nën sanksione të vendosura nga BE-ja dhe relacionet zyrtare të qeverisë aktuale me partnerët tanë strategjikë, sidomos me SHBA-të kanë shënuar pikën më të ulët dhe alarmante në historinë tonë më të re. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri e re, që nënkupton edhe një kryeministër të ri, janë mundësia e vetme për reflektuar një dritë shpresë në horizont.
Në kohën kur Kosova qeveriset nga një qeveri e dobët dhe një kryeministër popullist e demagog të cilit i mungon vizioni strategjik, është jetike që të kemi një alternativë të qëndrueshme dhe të besueshme, për të drejtuar vendin drejt një të ardhmeje më të ndritur. Kosova dhe qytetarët janë të lodhur nga kryeministri aktual, i cili shpesh përdorë retorikën populliste për të mbuluar mungesën e veprimeve konkrete. Mbi të gjitha, qytetarët duan një kryeministër dhe qeveri që i rregullon problemet e shumta më të cilat ata ballafaqohen çdo ditë. Nuk ka më kohë për të humbur.
Duke analizuar kontekstin aktual politik dhe forcën e katër partive kryesore parlamentare në vend, është e qartë se risia dhe ndoshta shpresa e vetme për ndryshim, është kandidatura e z. Bedri Hamza për kryeministër të Kosovës. Kështu, në zemrën e Ballkanit, një vend i vogël, por me ëndrra të mëdha, po përgatitet për një ndryshim transformues. Kosova, një vend me sfida ekonomike dhe sociale të mëdha, por edhe me një popull të palëkundur në shpirt dhe ambicie, është në prag të një epoke të re. Në këtë udhëkryq historik, PDK ka ofruar një zgjedhje që shpreson të sjellë një dallgë të re shprese: Bedri Hamza, njeriu i cili synon të bëhet drita në fund të tunelit për Kosovën.
Bedri Hamza, i cili tani qëndron në timonin e Mitrovicës, është një lider i njohur në skenën politike të Kosovës. Me një historik të pasur si ish-Ministër i Financave dhe ish-Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hamza ka treguar një profesionalizëm, ndershmëri dhe konsistencë të palëkundur në punën e tij. Ai është arkitekti i qetë pas shumë reformave të suksesshme që kanë ndihmuar në stabilizimin dhe rritjen ekonomike të vendit në një kohë të vështirë. Por, çfarë e bën Bedri Hamzan njeriun e duhur për këtë moment historik? Është vizioni i tij, që e sheh Kosovën jo vetëm si një vend që mbijeton, por si një vend që zhvillohet dhe lulëzon. Ai ka dijen dhe aftësitë që të transformojë ekonominë, të forcojë mirëqenien sociale dhe të ndërtojë një të ardhme ku çdo qytetar i Kosovës mund të ndjejë krenari dhe shpresë.
Imagjinoni një Kosovë ku të rinjtë nuk ndjejnë nevojën të largohen për të gjetur mundësi diku tjetër, por ku mund të ndërtojnë ëndrrat e tyre në shtëpinë e tyre. Ku sipërmarrësit janë të inkurajuar dhe mbështetur, ku arsimi dhe shëndetësia janë prioritete dhe ku të drejtat dhe liritë e çdo qytetari janë të garantuara. Zgjedhja e tij si kryeministër nuk do të ishte thjesht një ndryshim në udhëheqje, por hapje e një epoke të re të shpresës, rritjes dhe bashkimit për të gjithë kosovarët. Kosova dhe kosovarët ndodhen në udhëkryq dhe në pritje të një rrugëtimi të ri për të sjellë ndryshimin që Kosova jo vetëm që e dëshiron, por që me të vërtetë e meriton. Ky është momenti ynë të zgjedhim të ardhmen, të zgjedhim shpresën dhe të zgjedhim udhëheqësin që do të na çojë atje. Popullizmi dhe demagogjia boshe nuk e dërgon dot Kosovën në drejtimin e duhur. Një kryeministër i dëshmuar për profesionalizim, ndershmëri dhe i përkushtuar për të punuar dhe shërbyer mund ta bëje këtë. Por në këtë rrugëtim të ri duhet të jemi bashkë sepse vetëm kjo na bën të pandalshëm për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për Kosovën.