Shpërthejnë zjarret në lindje të Romës, evakuohen banorët

13 gusht 2021 | 14:17

Banorët e komuniteteve të vogla rreth 40 kilometra në lindje të Romës janë evakuuar të premten, kur një zjarr në natyrë ka shpërthyer në kohën kur temperatura në kryeqytetin italian arriti në 37 gradë celsius.

Pjesë të mëdha të Italisë jugore janë përfshirë nga zjarret në javët e fundit. Rajonet më të prekura nga zjarret në pyje janë Kalabria, Sicilia dhe Sardenja.

Në Sicili, temperatura të mërkurën ka arritur në gati 49 gradë, e raportuar si rekord i temperaturës më të lartë që është regjistruar ndonjëherë në Evropë.

Vala e vapës është duke lëvizur drejt veriut të Italisë. Zjarrfikësit kanë njoftuar se 25 familje janë evakuuar gjatë natës, pasi zjarret janë përhapur në Monte Catillo, afër Tivolit, shkruan “Reuters”.

Rreth 30 banorë të një shtëpie për fëmijë të varfër dhe jetimë gjithashtu janë evakuuar për t’i ikur rrezikut nga zjarret.

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, të enjten ka premtuar ndihmë financiare për komunitetet e goditura nga zjarret dhe një plan veprimi për rigjelbërimin e pyjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka hapur konkurs për 51 pozita…