
Shpërthen fruthi në Teksas
Një fëmijë tjetër ka vdekur nga fruthi ndërsa shpërthimi vazhdon të përhapet në Teksasin Perëndimor.
“Fëmija ishte i pavaksinuar, nuk kishte kushte themelore mjekësore dhe ishte shtruar në spital për komplikime të lidhura me fruthin”, tha Aaron Davis, nënkryetar i Sistemit Shëndetësor UMC, një rrjet spitalesh dhe klinikash publike.
Sekretari amerikan i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., i cili është vënë nën kritika për trajtimin e tij të shpërthimit, është planifikuar të udhëtojë në Teksas këtë javë.
Bëhet me dije se Teksasi kishte regjistruar më shumë se 480 raste të fruthit që nga e premtja.
Vdekja e fëmijës ka të ngjarë të jetë vdekja e tretë e lidhur me fruthin që kur shpërthimi u përhap në shtetet fqinje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Kjo situatë tragjike tregon edhe një herë rëndësinë e vaksinimit. Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të çojë në komplikime serioze, veçanërisht te individët e pavaksinuar”, tha Davis.
Sipas New York Times, e cila raportoi për herë të parë informacionin pas marrjes së të dhënave spitalore, fëmija, vajzë 8-vjeçare, vdiq nga “dështimi i mushkërive i shkaktuar nga fruthi”.
Në shkurt, një vajzë 6-vjeçare e cila ishte gjithashtu e pavaksinuar vdiq në një komunitet lokal Menonite.
Ishte vdekja e parë e fëmijës nga fruthi në SHBA në një dekadë.
Në mars, një burrë i pavaksinuar në New Mexico vdiq pasi u sëmur me fruth, por shkaku i vdekjes është ende nën hetim.
Ndryshe, SHBA ka parë më shumë se 600 raste të fruthit këtë vit, shumica e tyre të lidhura me një shpërthim që filloi në Teksasin perëndimor.
Rastet në New Mexico, Oklahoma dhe Kansas ka të ngjarë të lidhen me të njëjtin burim infeksioni.
Pothuajse të gjithë të infektuarit janë të pavaksinuar.
Virusi që shkakton fruthin mund të shkaktojë ethe, skuqje, kollë dhe simptoma të tjera dhe shpesh shoqërohet me komplikime serioze si pneumoni, ënjtje të trurit dhe vdekje.
SHBA shpalli fruthin të eliminuar nga vendi në vitin 2000, por numri i rasteve është rritur vitet e fundit për shkak të lëvizjes në rritje kundër vaksinimit.
Dy doza të vaksinës – siguria e së cilës është vërtetuar shkencërisht – parandalojnë infeksionin në 97% të rasteve dhe reduktojnë ndjeshëm rrezikun e formave të rënda të sëmundjes.
Për të arritur imunitetin e masës, kur një numër i mjaftueshëm njerëzish janë të imunizuar dhe kështu mbrojnë edhe të pavaksinuarit, duhet të vaksinohen rreth 95% e popullsisë.