‘Shpërthen’ Jakup Krasniqi në Speciale: Na quajtët ndërmarrje kriminale, kurrë në jetë s’kam trajtuar njeri siç më trajtuat mua
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka marrë fjalën shkurtimisht para Gjykatës Speciale, ku po paraqitet për herë të parë.
Krasniqi e ka kritikuar ashpër cilësimin e Speciales si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” kur përshkruajnë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Në aktakuzë po na quani ndërmarrje e përbashkët kriminale. Unë deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq, sa e si më trajtuat mua, nga ndërtesa e burgut e deri në këtë ndërtesë. E theksoj, s’kam trajtuar kurrë kështu njerëz”.
“Cilësimi i prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje e përbashkët kriminale nuk ka asgjë më fyese”.
“Besoj dhe besoj shumë që këtë e di secili qytetar i arsimuar që së paku është mbi 30 vjeç dhe jeton në vendet e demokracisë”, ka thënë Krasniqi.