Shpërthen vullkani në Kongo, mijëra të evakuuar
Qeveria në Republikën Demokratike të Kongos ka nisur një plan evakuimi për banorët e qytetit lindor të Gomas, pas shpërthimit të një vullkani të madh. Llava shpërtheu nga mali Nyiragongo natën duke formuar një re të trashë portokalli mbi Goma, e cila ka një popullsi prej dy milionë banorësh.
Mijëra banorë të goditur nga paniku u larguan, një pjesë e madhe në këmbë. Vullkani, i vendosur 10 kilometra nga Goma, shpërtheu për herë të fundit në 2002 duke vrarë 250 njerëz dhe duke lënë 120,000 të pastrehë.
Turmat u panë me dyshekë dhe sende të tjera, duke ikur drejt kufirit në lindje me Ruandën, madje edhe para njoftimit të qeverisë, i cili erdhi disa orë pasi filloi shpërthimi.
Autoritetet e Ruandës thanë se rreth 3,000 njerëz ishin larguar zyrtarisht nga Goma. Mediat shtetërore të vendit thanë se ata do të vendoseshin në shkolla dhe vendet e besimit. Banorë të tjerë u larguan në toka më të larta në perëndim të qytetit.
Një banor tha për agjencinë e lajmeve AFP se ndiente erën e squfurit, ndërsa në distancë shiheshin flakët gjigande që dilnin nga mali.
Ndërsa një zyrtar nga Parku Kombëtar Virunga, ku është vendosur vullkani, tha në një shënim për stafin se shpërthimi ishte i ngjashëm me atë në vitin 2002 dhe se të gjithë pranë aeroportit duhet të “evakuohen pa vonesë”.
Ministri i Komunikimeve Patrick Muyay tha në Tëitter se qeveria po diskutonte marrjen e “masave urgjente” , ndërsa njerëzit janë këshilluar të qëndrojnë të qetë. Disa u ankuan për mungesën e informacionit nga autoritetet dhe se e kishin marrë atë përmes mediave sociale që herë pas here ka dhënë lajmeve kontradiktore./Klan News/