Shpërthim i fuqishëm në Kabul, së paku 18 të vrarë
Të paktën 18 njerëz u vranë, dhe 145 të tjerë u plagosën, kur një makinë bombë shpërtheu para një stacioni të policisë, në Kabul të Afganistanit.
Në mesin e viktimave kishte gra dhe fëmijë, bëri të ditur zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nusrat Rahimi.
Talibanët pohuan përgjegjësinë përmes një deklarate, duke thënë se njëri nga sulmuesit vetëvrasës që e kreu sulmin kishte në shënjestër një “qendër rekrutimi”.
Talibanët kanë intensifikuar sulmet ndaj forcave afgane të sigurisë.
Pavarësisht bisedimeve të paqes midis talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara, nuk ka pasur asnjë ulje të nivelit të dhunës në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara po synojnë të arrijnë një marrëveshje me talibanët, përmes së cilës do të mundësohej largimi i forcave të huaja nga Afganistani.
Mirëpo, ShBA-ja kërkon garanci nga talibanët, se nuk do të lejojnë që Afganistani të bëhet vend i grumbullimit të terroristëve.
Në rast të arritjes së një marrëveshjeje, më pas, do të fillonin negociatat brenda afgane për dhënien fund të luftës gati 18-vjeçare.
Talibanët tash për tash refuzojnë të negociojnë me qeverinë afgane. /Rel/