Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë ruse të municionit
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në fabrikën e municionit Votkinsk, e cila gjendet rreth 50 kilometra nga Izhvesk.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, i tërë objekti është përfshirë nga zjarri i madh.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass, ka njoftuar se ekipet kujdestare kanë mësuar se shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës sa planifikohej të bëheshin disa testime të motorëve të raketave.
“Ishte një ngjarje e planifikuar, e jo rast urgjent”, u tha nga Tass.
Përveç produkteve për përdorim civil, fabrika ka prodhuar edhe predha për artileri, përfshirë raketat balistike për sistemet raketore Topol M dhe Iskander.
Fabrika që ka një poligon testimi, në fund të vitit të kaluar, ka arritur të nënshkruaj 19 marrëveshje për prodhimin e komponentëve të armëve bërthamore.
Në rrjetet sociale është shpërndarë videoja, që tregon “topin e madh të zjarrtë” që ngritet në qiell pas shpërthimit të fuqishëm.