Shpërthim në urën e Krimesë, Putini kërcënon Ukrainën me bomba thërrmuese
Ura e Krimesë është goditur sërish. Shpërthimi i regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm nuk është i përmasave të atij të 8 tetorit 2022, por ka marrë dy jetë njerëzish.
Trafiku në urën që është pikë kyçe lidhëse për Krimenë me kontinentin e Rusisë është ndalur, ndërsa guvernatori i vendosur nga Rusia, Sergei Aksyonov, tha se “një situatë emergjente” ndodhi në kolonën e 145-të saj.
“Zona Gri”, një kanal në Telegram i lidhur me grupin mercenar Wagner, raportoi se dy goditje kanë ndodhur mbi urë në orën 3:04 dhe 3:20 të mëngjesit me kohën lokale, por agjencia e lajmeve Reuters nuk e ka verifikuar lajmin në burime të pavarura.
Zyrtarët rusë sakaq kanë thënë për mediat lokale se një çift u vra dhe vajza e tyre u plagos në një aksident të paspecifikuar, ndërsa mediat ukrainase raportuan shpërthime.
Vajza e plagosur në incidentin në urën e Krimesë është në kujdes intensiv, raportoi RIA Novosti.
Ndërkohë nga Kievi zyrtar nuk ka asnjë konfirmim për shpërthimin.
Analisti në Institutin për Studimin e Luftës, George Barros tha se nëse ura është dëmtuar rëndë, ajo do të ndikojë ndjeshëm linjat e furnizimit ruse.
“Rusia do të ketë vetëm një linjë furnizimi tokësor – autostradën bregdetare në Detin Azov – për të mbështetur ose evakuuar dhjetëra mijëra trupat e saj në Kherson dhe Krime të pushtuar nëse Ukraina arrin të shkatërrojë urën“, tha ai.
Shpërthimi vjen në një kohë kur Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërcënuar se do të përdorë bomba thërrmuese nëse Ukraina sulmon ushtarët rusë me bombat që ka marrë nga SHBA.
Këto lloj bombash, të cilat lëshojnë një numër të madh grantash më të vogla në një zonë të gjerë, janë të ndaluara në mbi 100 vende, por sipas Putin, Rusia ka një “magazinë të mjaftueshme me to”.
“Sigurisht, nëse ato përdoren kundër nesh, ne rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë veprime reciproke“, tha Putin në një intervistë televizive.