Shpërthime antologjike
Zija Vukaj
Duke lexuar vëllimin poetik të poetit Sadik Krasniqi, shpirti i çdo lexuesi të vëmendshëm do t’i nënshtrohet diktatit ontologjik të autorit, më pas do të vlerësojë, analizojë, gjykojë për strukturën kompozicionale, aspektet e teknikave, mjeshtërinë, motivet, figuracionin gjuhën, stilin etj. Duke hasur në mënyrë befasuese në poezi të një frymëzimi të thellë dhe të një teknike të lartë artistike, gjë fort e rrallë për zhvillimet e sotme të artit të fjalës, si dhe duke vërejtur nëpër njësitë poetike të autorit vraga të thella të një shpirti të trazuar, mbushur me ngjyrime të zymta dhe ankthe ekzistenciale, m’u kujtuan efektet gjurmëlënëse të pikturave të norvegjezit gjenial Edvard Mynch, si “Britma”, “Ankthi”, “Vajza e sëmurë” etj. Ngjashmëria, interferimi mes këtyre dy arteve të imazhit: pikturës dhe poezisë, në këtë sens mund të jetë krejt rastësore, pasi siç thotë Barthes, jeta e autorit nuk është çelësi për të kuptuar veprën. Por nganjëherë edhe është. Mynch ishte i pllakosur nga aspekte të errëta të së kaluarës së vet. Kishte një côte noir në jetën e tij.
Ndërsa poezitë e këtij vëllimi, autorin e të cilit e lexoj dhe e njoh për herë të parë si poet, transmetojnë shumëçka nga kompleksiteti i ndërlikuar i shpirtit të njeriut, me një ndjeshmëri të lartë, lirizëm të hollë dhe mjeshtëri të rrallë artistike. Tallazi i tij shpirtëror, shkaktuar nga ndjeshmëria që njeriu i ndjenjave, poeti, përjeton në thellësitë e qenies së tij dhe pastaj i kthen në një tallaz të trazuar poetik, të hijshëm, elegant, por edhe tronditës, drithërues, të ankthshëm, më shumë se paraqitje artistike përjetimesh, synon të kërkojë forcat e fshehura të ekzistencës, për t’i nxjerrë jashtë, për t’i riorganizuar, për t’ia intensifikuar qëllimit të shfaqjes me qartësinë më të madhe efektet e këtyre forcave mbi mekanizmin që është quajtur jetë njerëzore dhe në konfliktet e veta me jetët e tjera njerëzore: “Nata e poetit/ nuk është një vijë e zezë/ është një kafaz i qelqtë/ i krisur shtatë e shtatëdhjetë herë/ nga gishti i unazës së fildishtë/ e dalja në hone kohe të përndritura amshueshëm.” (“NATA E POETIT”)
Ky vëllim poetik ka një strukturë ciklike dhe si i tillë dëshmon qartësinë artistike, kthjelltësinë dhe kohezionin e një vepre të ngjizur e të shestuar nga intuita dhe kredoja e autorit për të komunikuar en bloc me lexuesin si vazhdimi i një dialogu artistik pa fillim e pa fund. Përbëhet prej pesë cikleve poetike: “Psalm dëshmie”, “Këmisha me flutura”, “Sa pak frymë”, “Solemniteti i mërzisë” dhe “Bulëzim thysash”.
Çdo cikël është një unitet i veçantë poetik, i cili mund të jetojë edhe më vete, por mes tyre ka një fill artistik, një ADN, një filozofi, një frymëzim, një pesimizëm elegant, një kronotop dhe një “melos” poetik që i bashkon. Në secilën tufë poetike gjejmë motive të tilla si: ndërhyrjen e të vdekurve në jetën tonë, natën, dhimbjen, nënën, diktatin e kohës, shpirtin e vendlindjes, mëkatin e origjinës, epifanizimin, mallin, ikjen fatale të kohës etj., ashtu siç gjejmë në çdonjërin prej cikleve edhe poezitë e angazhuara, ku shprehet idealizmi subjektiv i poetit, perceptimi i tij mbi dukuritë, personat, aktualitetin.
Ka një vokacion të autorit, që spikat shpesh përgjatë gjithë vëllimit, për t’u zhytur në kontemplacionin e simboleve, personave, heraldikën e historisë së të parëve tanë. E gjejmë këtë te poezi të tilla si “Shkodra”, “Lulja e kripës” etj. Këto shpërthime të shkëlqyera poetike janë kulmime antologjike të një poeti të njëmendët: “Hëna e plotë mbi kala/ si gji gruaje mbetur jashtë muri/ yjet e rënë në lumë si engjëjt e fjetur/ një erë e përmallshme/ si ninullë Ajkune/ valëvit një pelerinë murgu/ një tingull i zbehtë këmbane/ si kolla e thatë e poetit/ shenja se jemi në Shkodër.” (“Shkodër”) Ose: “E sheh atë lule majë shkëmbi/ lule kripe është/ me rrënjët e saj/ mban kokrrën e kripës/ e nuk e lë në det të bjerë/ është e vjetër sa Teuta/ dikush thotë është loti i saj…” (“Lulja e kripës”)
Poezia e Krasniqit është imazh, mendim, përjetim dhe paraqitje gjendjesh. Kësisoj, teknikat artistike që autori përdor, përbëjnë një arsenal të tërë. Intuita e pazakontë artistike e këtij poeti depërton në honet më të errëta e të panjohura; apo të pathëna të shpirtit. Nganjëherë ajo bëhet drama e pamundësisë dhe poeti vetë, me unin e tij lirik, kthehet në një sfings që deklamon pretencën e dënimit tragjik të individit me pamundësi si tek ky “vajtim”: “Janë disa shtigje/ përtej reve të zeza/ e ti pa krahë.// Janë disa shtigje/ përtej lumit me krokodil/ e ti pa urë me vig// Janë disa shtigje/ përtej fushës plot gjarpërinj/ e ti këmbëzbathur// Janë disa shtigje/ përtej brigjeve të zjarrta/ e ti pa këmishën e ujit.// Ulu mbi një shkëmb djalo/ qitja këngën vetes/ pikëlloji të verbërit.” (“Janë disa shtigje”
Duke u kushtëzuar nga ndërtimi i imazhit dhe pasqyrimi i gjendjeve, autori shpalos mjeshtërinë e tij në përdorimin e figuracionit që ia mundëson qëllimin. Shpalos koloritin e krahasimeve magjepsëse si: “Gishtërinjtë ngulen në tëmthat e mi/ si gozhdat në pëllëmbët e Krishtit… ose: një erë e përmallshme si ninullë Ajkune” etj. Po kështu, për të dhënë fuqinë që kanë sendet mbi krijimin e gjendjeve shpirtërore, autori ndërton hipotipoza të tilla që ngjajnë me forcën e pasqyrimit fotografik: “… nëna fillon të bisedojë me sendet; me lugët e heshtura/ pasqyrën e zverdhur/ krehërin në tokë/ fyellin e varur në mur/ sandalet e vogla të verës/ rezën e ndryshkur/ shkallët”.
Gjuha e poetit Krasniqi është mjaft e pasur dhe e mbushur me neologjizma, të cilat janë krijuar si rrugëdalje dhe imperativ i një komunikimi sa figurativ dhe poetik, aq edhe formal dhe krejt semantik. Spikasin mbiemra të tillë si, i brymtë, i mejtë, i përhëntë (nata e përhëntë) etj.
Leximi i këtij vëllimi poetik, përveç transmetimit të emocioneve dhe kënaqësive estetike të pafund shpalos edhe këndvështrime të shumta për larminë e motiveve dhe morinë e përjetimeve dhe mbresave që jep një letërsi e vërtetë.