Shpërthime të fuqishme në qytetin ukrainas të pushtuar nga Rusia

12 korrik 2022 | 09:30

Një seri shpërthimesh të mëdha tronditën qytetin Nova Kakhovka në rajonin Kherson të Ukrainës të hënën mbrëma. Qyteti, si pjesa më e madhe e Khersonit, është nën pushtimin rus.

Ky është shpërthimi i dytë i madh në katër ditë në qytet, vendi i një dige të rëndësishme hidroelektrike dhe një lidhje në furnizimin me ujë të Krimesë.

Videoja e postuar në mediat sociale tregonte shpërthime të forta dhe një zjarr të madh.

Serhiy Khlan, një zyrtar ukrainas i cili është anëtar i këshillit rajonal të Khersonit, tha në Facebook: “Në Nova Kakhovka minus një depo municionesh ruse. Ata sollën, sollën, grumbulluan, grumbulluan dhe tani kanë fishekzjarre natën”.

Khlan, i cili nuk është në Kherson, paralajmëroi banorët e Nova Kakhovka që të mos dilnin jashtë.

“Ju lutemi kujdesuni për veten dhe mos iu afroni vendit të shpërthimit”, tha ai.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS nuk iu referua shpërthimit të një depoje municionesh, por të mërkurën vonë raportoi: “Forcat e Armatosura të Ukrainës sulmuan hidrocentralin Kakhovka në rajonin Kherson”, tha një burim.

Por nënkryetari i administratës ushtarako-civile të mbështetur nga Rusia në Kherson, Kirill Stremousov, tha se raketat ukrainase nuk goditën hidrocentralin.

TASS më vonë tha se depot që mbanin nitrat kaliumi kishin shpërthyer. Nitrat kaliumi është një substancë shumë e djegshme që përdoret si përbërës në pleh, i cili ishte edhe shkaku i shpërthimit që ndodhi në Bejrut dy vjet më parë.

CNN, që raportoi lajmin, nuk mundi të konfirmojë shkakun e shpërthimeve apo atë që u shkatërrua, raporton Gazeta Express.

TASS raportoi: “Ka viktima, tregu, spitali dhe shtëpitë u dëmtuan”, duke cituar administratën civile-ushtarake, e cila është e mbështetur nga Rusia në Kherson.

Forcat ukrainase kanë shtuar sulmet duke përdorur raketa dhe artileri me rreze të gjatë kundër posteve komanduese dhe objekteve të municioneve ruse javën e fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Shqipërisë njofton për arrestimin e 21-vjeçarit B. Th.,…