Shpërthimi në Ferizaj, Veliu: MPB-ja do t’u dalë në ndihmë qytetarëve
Numri i të lënduarve nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal gastronomie në Ferizaj, ka shkuar në 42.
Katërmbëdhjetë prej të lënduarve po trajtohen nga Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe tre nga ta janë në gjendje të rëndë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar pas këtij shpërthimi, duke theksuar se MPB-ja dhe agjencitë e saj do të vazhdojnë t’u dalin në ndihmë qytetarëve në çdo rrethanë.
“Me shqetësim të madh pranova lajmin rreth incidentit që ndodhi sot në një qendër tregtare në Ferizaj. Lajmet e tilla në këtë fillim vit na shqetësojnë tej mase andaj me këtë rast shpreh keqardhjen time dhe njëkohësisht i dëshirojë shërim sa më të shpejtë të lënduarve. Ky rast por edhe rastet e tjera e ngrisin nevojën e kujdesit sa më të madh por edhe ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për rreziqet që na rrethojnë. Ministria e Punëve të Brendshme me agjencitë e saj do të vazhdojnë t’u dalin në ndihmë qytetarëve të saj pa dallim në çdo rrethanë, duke ju ofruar përkujdesje dhe siguri”, ka thënë ministri Veliu.