Shpërthimi në Kçiq, dy prej të lënduarve në gjendje më të rëndë, një 10-vjeçare shkon për trajtim në Suedi
14 janar 2024
| 15:06
Në Mjekimin Intensiv Qendror të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar katër nga të lënduarit e shpërthimit të bombolës së gazit në fshatin Kçiq i Madh i Mitrovicës së Jugut.
Për “Klan Kosovën” ka folur mjekja kujdestare, Agreta Gashi, e cila ka thënë se dy prej këtyre të lënduarve vazhdojnë të jenë në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Sipas saj, në mesin e pacientëve është edhe një vajzë 10-vjeçare që është shtetase suedeze, e cila do të vazhdojë trajtimin në Suedi në një qendër të specializuar për djegie.
Doktoresha Gashi shtoi se ky transferim është duke u bërë pasi Kosova dhe rajoni nuk ofrojnë trajtim të tillë. Të lënduar nga shpërthimi i bombolës janë 14 persona.