Shpërthimi në Ujman, reagon Kurti: Serbisë nuk i leverdis normaliteti i krijuar në veri

21 korrik 2024 | 17:41

Të dielën sipas informatave të Policisë së Kosovës, rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur është hedhur një granatë dore me ç’rast dy vetura të parkuara, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane, janë dëmtuar.

Njësitë policore relevante kanë dalë në vend të ngjarjes dhe po hetojnë rastin.

Ndaj kësaj ngjarje ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë.

“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme. Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka thënë se kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senatori Joe Manchin iu bashkua katër kolegëve të tij demokratë…