Shpërthimi në Veri, reagon ambasadori amerikan Hovenier
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka reaguar pasi në veri të vendit ka ndodhur një shpërthim me bombë e ku fatmirësisht s’ka pasur asnjë të lënduar.
Hovenier ka thënë se është thellë i tronditur me një gjë të tillë dhe ka dënuar veprime të tilla.
Ai iu ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të kryejnë hetim të plotë për t’i nxjerrë autorët para drejtësisë.
“I tronditur thellë kur lexova raportet e mjeteve shpërthyese të përdorura në shumë pjesë të Kosovës. Ne i dënojmë këto akte dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, ka shkruar Hovenier.
Shpërthimin e ndodhur rreth mesanatës, e ka konfirmuar sot gjatë ditës zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, duke dhënë detaje se ka qenë granatë e dorës M75.
“Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjmë me shpërthim të granatës së dorës M75”, bëri të ditur Elshani.