SHPËTIMI NË LINDJE DHE BREGU PERËNDIMOR

15 nëntor 2023 | 12:38

Shkruan: Ilir Gashi

Lufta është politikë vetëm se me mjete të dhunës. Ky konstatim i njohur, e përjashton vlerësimin emocional për humbjen e jetëve të pafajshme. Në rrethanat aktuale, ka një konsensus global të shteteve demokratike se, shtetet si Rusia, Irani dhe Kina janë rrezik gjithnjë e më i madh për paqen globale. Kundrejt kësaj analize, kujtesa jonë ka të drejtë! Nëse i referohemi historisë politike dhe historisë së diplomacisë, atëherë konfliktin Izrael – Palestinë – Hamas, e kuptojmë fare lehtë, se konflikti aktual është vazhdimësi e ndërhyrjeve tradicionale-historike të aleancave dhe supermacive Lindje-Perëndim.

Trashëgimia historike e së kaluarës, na mëson se sikur dikur britanikët që kishin ndikim në Lindje të Mesme dhe mbështeteshin tek Irani për nevoja të naftës, po ashtu, edhe sovjetiket shkëmbenin armët me pambukun egjitpas. Ndërrimi i pambukut egjiptas me armatim rus, cenoi për herë të parë zonat e interesat perëndimore. Udhëheqësit sovjetik, e kuptonin mirë se armatimi i tyre, do të qonte deri te konflikti izraelito-arab, një sfidë vështirë e kontrollueshme për perëndimin.

Kështu, sovjetikët fitonin shumëfish sepse arabët po hynin nën ombrellën e tyre, ndërsa palestinezët po ktheheshin hap mbas hapi “mish për top”. Erdhi shpejt koha kur ata, u kthyen më shumë target i interesave arabe se sa në armik të izraelitëve.
ShBA-ja nga mbamendja e historisë politike dhe diplomatike ishin edhe kundër trashëgimisë së supremacisë politike evropiane por edhe kundër traditave koloniale. Në mentalitetin dhe bindjet amerikane mbizotëronte parimi uillsonian i vendosjes së popujve. Ky parim, ishte dhe mbeti edhe sot një nga parimet supreme të kartës së OKB-së.

Por ky neutralitet i ShBA-së, u prishë me ndërhyrjet e thella sovjetike në Lindje të Mesme gjë që, kjo i tërhoqi ShBA-të nga teoria e vetëpërmbajtjes dhe ata krijuan një afërsi të pa shoqe me Izraelin. ShBA-të kishin qëllime të vendosjes së paqes në lindjen e mesme. Synim i tyre ishte krijimi i një tipi të NATO-s me Turqinë, Irakun, Pakistanin, Sirinë e më vonë edhe me Iranin. Por, nëse i analizojmë mirë rrethanat historike, duket se ndërhyrja e BRSS-së në Egjipt dhe përpjekja e ekstremizmit arab për ta zhbërë Izraelin e ‘ndëshkoi’ këtë qasje amerikane për të sjellë paqe të përhershme në Lindje të Mesme.
Paqja ishte e vështirë për shkak të dy ekstremeve! Nën një, se Egjipti u armatos nga Moska dhe kërkonte territor për paqe, dhe nën dy, të një Izraeli që kërkonte paqe pa dhënë territor! Diskrepanca politike dhe diplomatike që pas dy luftërave arabo-izraelite të vitit 1967 dhe të vitit 1973 hyri në një spirale të pafundme të dhunës ( kryesisht në relacionin palestienezo – izraelit), i dha mundësi të vazhdueshme Moskës që ta luante rolin e “mikut dhe të xhandarit” për popujt arab që s’po mund të dalin dot nga ombrella e Moskës.

Pse Rusia e shtriu konfliktin drejt Lindjes se Mesme?!

Sot, kur shohim sot “figurat e shahut” në rrafshin e diplomacisë dhe të fushave të betejave, kuptojmë se ka një vazhdimësi të konfliktit mes palëve me mbështetje të pa ndryshuar qysh nga nisja e konfliktit: Perëndim – Rusi – Lindje e Mesme. I pari, perëndimi për të mbështetur paqen dhe parimet e ko ekzistencës, dhe të dytët rusët dhe arabët për ta vazhduar politikën e zhbërjes së portës perëndimore në Lindje të Mesme, Izraelit si shtet!
Deri ku ka mbërri gjendja? Nëse dikur diga e Asuanit pran brigjeve të Nilit dhe territoret palestineze në Bregun Perëndimor dhe mbi lumin Jordan kishin përçarë edhe vetë perëndimin, si ShBA-të me Britaninë dhe Francën, sot është pikërisht Bregu Perëndimor që i bashkon këto shtete fuqishëm kundër ndikimit rus në përhapjen e konflikteve përmes terrorizmit sikur se është organizata Hamas.

Pse vallë…?! Para se të fillonte lufta në Ukrainë, Moska kishte vendosur që fshehtas ta shtrijë hegjemoninë e saj drejt Evropës. Por një synim i këtillë, shpërfaqi një rreshtim si asnjëherë më parë që nga lufta e dytë botërore, të ShBA-së me aleatët evropian. Një rreshtim, i ngjashëm si dikur kur aleatët zbarkuan në Normandi ta ndalnin fashizmin. Ky zbarkim aso kohe, mposhti përpjekjet e një hegjemonie naziste të Adolf Hitlerit për ta pushtuar Evropën!Në atë biotë, gjërat kishin shkuar larg: Hitleri kishte pushtuar Francën pa rezistencë, kishte hyrë në Lenin Grad dhe synim të radhës kishte Londrën.

Rreth 77 vite më vonë, Vladimir Putini në krye të Rusisë kishte ndërhyrë në vendet si Gjeorgjia, kërcënonte vendet e Kaukazit, dhe kishte pushtuar Krimenë. Pra, qëllimi i Moskës ishte jo vetëm kthimi në heartlandin e dikurshëm perandorak rus, por edhe infiltrimin në Gjermaninë lindore, në Ballkan etj.

Një lloj pushtimi ekonomik veçse, ishte kthyer në një “politikë ad aca” gjë që, kjo qonte në krijimin e një ndikimi të fuqishëm rus përmes monopolit të eksportit të gazit për ngrohje, madje në gjysmën e shteteve evropiane. Moska, kishte filluar të blinte kudo në shtetet e Evropës media, sindikata të punëtorëve, parti, politikan etj. Projekti konspirativ mbi “ekologjinë dhe ambientin e rrezikuar”, në të vërtetë ishte një e vërtetë mashtruese që, i bënte hapësirë shtrirjes së gazit rus deri në Skandinavi. Kështu, me të drejtë, Putin u cilësua si Hitleri i ri! Reagimi i shpejt i ShBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, duke mobilizuar gjithë shtetet e bllokut për të ndihmuar me gjithë forcën financiare dhe armatimin e sofistikuar Ukrainën dhe për ta forcuar krahun lindor me shtetet anëtare të NATO-s, bëri që llogaritë ti dalin huq presidentit rus Vladimir Putinit.

Shikimi nga lindja dhe shpërqendrimi perëndimor!

Po! Kriza ekonomike ndryshoi në pa kthim dhe, tash e shohim se rendi i ri botëror vetëm sa ka filluar! Presidenti Putin kishte llogaritur në përhapjen e një krize të thellë ekonomike në perëndim si pasojë e mungesës së gazit dhe të rritjes së çmimeve dhe se kjo gjendje do ti përçante aleatët. Por, pa sukses.
Në këto rrethana aktuale, kemi një tregues se shtetet, veçmas shtet e vogla s’kanë fuqi ndryshimi të rrjedhës globale. Të vetmen “fuqi”, madje edhe kjo jo çdo herë, shtetet e vogla e kanë lidhur me atë se me kënd duan të rreshtohen, me kënd dëshirojnë të jenë! Nuk është i lehtë përcaktimi por, në këtë rast, mbamendja duhet të jetë udhërrëfyes në kësi përcaktimi. Në anën tjetër, duke e parë se lufta në Ukrainë po humbet, Rusia për të shpërqendruar aleatet perëndimorë, është lëshuar në ofensivë politike dhe diplomatike për të gjetur aleat! Kryesisht, në lindje. Por ashtu siç vet Rusia është autoritare, edhe aleatët e saj janë autoritar: për shembull, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut!

Por, historikisht dihet se edhe aleanca mundë të ndezin vatra të reja konflikti, siç është Kina me Taivanin, Serbia në Ballkan me Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën, India me Pakistanin, e ndoshta edhe Irani me Arabinë Saudite! Prandaj, mund të konstatojmë se Moska po ndjek një politik kaotike. Ndikimi i saj direkt dhe indirekt, është prezent në Lindjen e Mesme. Për të shpërqendruar gjendjen e saj në Ukrainë, lidhjet me krerët e Hamasit dhe Hezbollahun – një grup terrorist Shia në Liban, me fraksionet pro iraniane në Siri etj., kanë për qëllim goditjen e forcave amerikane, si dhe përhapjen e luftës përtej Gazës!

Synimi rus është i qartë: të hapë sa më shumë vatra të reja të krizës, ku ShBA-të janë të lidhura direkt. Inteligjenca ruse ka ardhur në përfundim se lufta konvencionale në Ukrainë, është e humbur. Në pa mundësi për një luftë bërthamore, filloi një luftë shpërqendrimi mes Lindjes se Mesme dhe Perëndimit.

Rusia, është e vetëdijshme se jetëgjatësia e luftës në Ukrainë varet nga financimi ekskluziv i ShBA-së! Për një front të ri amerikan, Rusia përmes Iranit dhe indirekt përmes inteligjencës, përgatiten terren për sulme në Izrael nga grupi terrorist Hamas, mbështetur nga Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahut! Po ashtu, përmes shefit të BIA-s serbe Aleksandër Vulin dhe kriminelit Milan Radojiçiq, tentuan destabilizim në Kosovë, e rrjedhimisht në Ballkan përmes sulmit në Banjska!

Por edhe deklarimet e presidentit te Republika Srpska në Bosnje Dodik për Serbi të Madhe. Meqë Moska me aleatin e saj Beogradin dështoi në Banjsko, u ndez një vatër tjetër që, edhe ashtu do të ndizej: mbase, menjëherë mbas Banjskos…! Fakti se ku filloi konflikti, me cilat mjete dhe metoda, nga kush filloi konfliktin, pse u lanë gratë dhe fëmijët në një fushëbetejë urbane nga Hamasi etj., e tregojnë qartë synimin ruso-iranian për të nxitur një reaksion të vështirë reagimi nga Izraeli, dhe për të nxitur në perëndim përkrahjen e masave për viktimat palestineze!

Të dy skenarët e mësipërm, ishin të njëjtë! Në anën tjetër, në dy – tri javët e para të fillimit të konfliktit në Gaza më 7-8 tetor, ishte evident fakti se ndikimi rus dhe iranian ishte i madh në Lindjen e Mesme. Mirëpo, askush nuk ka pritur një reagim kaq të ashpër as të Izraelit dhe as të mbështetjes amerikane dhe evropiane për Izraelin. Këtë, madje e ka deklaruar tashmë edhe vet kreu i Hamasit.

Nga vëzhgimi i lëvizjeve diplomatike dhe ushtarake, ShBA-të u pa se me urgjencë vendosën në qarkullim“gjithë” potencialin e tyre. Vëzhguesit thonë se vendosen aeroplanmbajtësen “Ford” në Mesdhe duke u mbështetur me arritjen e “Eisenhower” me 80 aeroplan në bord.

Informacionet thonë se në Jordani, janë transferuar luftarakët F15 në bazën Musaffaq Salti: një siguri për trupat amerikane në Siri. Përpos në Gjirin Persik, ShBA kanë edhe komandën e Flotës së Pestë në Bahrein dhe në Qatar.

Po ashtu, me urgjencë është vënë në gjendje gatishmërie edhe “Njësia 26 e Ekspeditës Detare” në brigjet e Izraelit. Britania po ashtu, ka vënë në dispozicion komponentët e saj ajrorë dhe detarë.

Inteligjenca amerikane hyri brenda për të ndihmuar Mosadin më lirimin e pengjeve sepse, synimi i Rusisë dhe Iranit ishte hapja e konfliktit përtej Izrael në Lindje të Mesme! Në anën tjetër, ofensiva diplomatike amerikane e paparë në Lindje të Mesme, duke gjetur aleat ose duke i paralajmëruar të gjithë ata që synojnë t’i bashkohen në luftë organizatës terroriste Hamas se, do të kenë pasoja të pamëshirshme!

Në kërkim të paqes kundër boshtit të së keqes!

Reagimi kaq i ashpër perëndimorë tregon qartë se Rusia është në rrugën e saj të kapitullimit, ndërsa bashkërendimi i fuqishëm ushtarak dhe qëndrueshmëria financiare ndaj Ukrainës mundë të sjell paqe në botë! Humbja e jetës së mijëra qytetarëve izraelit dhe palestinez është trishtim i madh por, këto jetë të humbura duhet t’i shërbejnë një paqe të përhershme në Lindje të Mesme dhe jo vazhdimit të agonisë: sakrifikimit të popullit palestinezë nga arabët dhe aleatët e tyre si, Rusia. Gaza, duhet të udhëhiqet nga një qeveri palestineze e cila pas kësaj tragjedie do të ketë vetëm një qëllim: mirëqenien e popullit palestinez dhe nuk do të lejonte Hamasin të ringjallej përsëri për të rikthyer sërish tragjedi. Izraeli duhet ta pranoj planin e paqes, i cili do të jetë në tavolinë të negociatave pas konfliktit.

Dështimi i planit ruso-iranian edhe pse me çmim të lartë për popullin palestinez dhe izraelit, është shpresë për një botë më të sigurt. Përfshirja eventuale e Iranit, e shteteve të Gjirit, e Hezbollahut me Hamasin si “aleancë ruse” kundër Izraelit, do të shkaktonte përfshirje direkte anglo amerikane por edhe franceze në Lindjen e Mesme. Kina pa mëdyshje, do të shfrytëzonte një rast të artë dhe do ta pushtonte Taivanin. E kjo, do të ishte kapitullim për gjithë njerëzimin: lufta e tretë botërore do të ishte e pashmangshme! Në këtë rast, do të përmbysej rendi i vjetër dhe rendi i ri botëror do të përcaktohej me luftë, nëse kishte për të mbetur ndokush për të hyrë në rend pas luftës! Prandaj, në fund duhet thënë pa mëdyshje: perëndimi duhet të triumfojë…

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-mesfushori i Barcelonës dhe Arsenalit, Alex Song ka njoftuar përfundimisht…