Shpëtimtarët nga Kosova në Turqi nxjerrin të gjallë nga rrënojat një 3-vjeçare

14 shkurt 2023 | 21:32

Një tjetër lajm i mirë vjen nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. Të martën ata shpëtuan edhe një tre vjeçare që kishte mbetur nën gërmadha nga tërmeti shkatërrues në Turqi.

Pasi gjatë së hënës me ndihmën e ekipeve nga Turqia arritën të nxjerrin të gjallë një 26-vjeçare, në ditën e dhjetë të kërkimeve kanë arritur ta shpëtojnë edhe një tre vjeçare.

“Lajmi më i bukur që mundet me ardh sot në ditën e 10 pas termetit është shpëtimi i vogëlushes tre vjeçare nga pjesëtarët e shoqatës”, thuhet në njoftimin e shoqatës e shoqëruar edhe me një video.

Edhe ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri më tani kanë arritur që të nxjerrin të të gjallë katër persona të cilët kishin qenë në rrënojat e objekteve të shkatërruar si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë.

Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ndihmon në nxjerrjen gjallë të 26-vjeçares nga rrënojat

Kosova,  duke përfshirë vullnetarët dhe forcat e specializuara të FSK-së në dy rajonet e prekura nga tërmeti Hataj dhe Osmanije prezenton me një personel prej 48 anëtarësh.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë ka arritur në 36 mijë.

Kjo shifër mund të rritet edhe më shumë.

Me kalimin e ditëve përpjekjet e autoriteteve po ndryshojnë, nga shpëtimi i të mbijetuarve të bllokuar nën rrënoja, në ofrimin e strehimit, ushqimit dhe kujdesit psikosocial për miliona njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi.

Sipas një raporti të Konfederatës turke të Ndërmarrjeve dhe Bizneseve riparimi i dëmeve të tërmetit mund t’i kushtojë Ankarasë deri në 84 miliardë dollarë, ndërsa qeveria turke i ka vlerësuar dëmet në mbi 50 miliardë dollarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka njoftuar se numri i…