Shpëtohet struktura kryesore e Katedrales Notre Dame
Një zjarr i madh përfshiu të hënën katedralen e famshme Notre-Dame në Paris. Katedralja ndodhet në një ndërtesë gotike, të vjetër 850 vjet.
Struktura kryesore e katedrales Notre Dame është ruajtur nga shkatërrimi.
“Tani mund të themi se struktura e Notre-Dame është ruajtur nga shkatërrimi total”, ka thënë një zyrtar i ekipit francez të zjarrfikësve ka njoftuar Agjencia e lajmeve “Reuters”.
“AFP” gjithashtu po raporton se struktura kryesore ka “shpëtuar dhe është ruajtur”.
“Zjarri tani është më i dobët. Tani jemi në një kohë të ftohjes, por të dy kullat e katedrales janë të sigurta. Ne ende po punojmë për të shpëtuar punën artistike të katedrales”, ka thënë Laurent Nunez, sekretar i ministrit të Brendshëm Francez.
Ndërkohë, presidenti francez, Emannuel Macron shpalli edhe gjendjen e Emergjencës Kombëtare për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa prej disa orësh ndodhet pranë objektit që po digjet.
“Notre-Dame e Parisit është përfshirë nga flakët. Si të gjithë bashkëkombasit e mi, jam i trishtuar këtë mbrëmje teksa shoh të digjet këtë pjesë tonën”, ka thënë presidenti francez për mediat.
Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar katedralen.
Atë e vizitojnë çdo vit miliona njerëz.