Shpiket ekrani LED që gjen përdorim në mjekësi

21 shkurt 2018 | 11:36

Një ekran tejet i hollë, i lakueshëm si një garzë, që mund të ngjitet në sipërfaqen e dorës për të marrë dhe dërguar mesazhe.

Kjo është shpikja e një pedagogu japonez, i cili ëndërron ta shohë këtë krijim të tijin të gjejë përdorim kryesisht në fushën e mjekësisë.

“Pajisja me trashësi rreth një milimetër i mundëson pacientit transmetimin në distancë të të dhënave mjekësore mjekut të tij”, është shprehur hulumtuesi, Takao Someya, pedagog në Universitetin e Tokios.

I ngjitur mbi pëllëmbë apo pjesën e pasme të dorës, pajisja mund të përdoret për të dërguar mesazhe tek pacientët një formë kujtese për të mos harruar marrjen e ilaçeve apo për t’i mundësuar komunikimin në distancë nipërve me gjyshërit e tyre.

“Nëse e vendosni pajisjen në lëkurë, ju jep përshtypjen sikur është pjesë e trupit tuaj, edhe kur i dërgoni mesazhe dorës tuaj, ju ndiheni emocionalisht më afër dërguesit”, ka theksuar ai.

Akademiku ka deklaruar se shpikja e tij është kryesisht e dobishme për Japoninë me një popullsi që po shkon drejt plakjes, pasi kjo do të mundësojë një monitorim të vazhdueshëm dhe jo invaziv te personat e moshuar.

Pamjet apo mesazhet shfaqen në një rrjetë mikro-LED, të lidhura me kabuj elastikë dhe të mbështjella në një fletë kauçuku. Pajisja përfshin gjithashtu një sensor mjaft të lehtë dhe një sistem komunikimi pa tela.

Pajisja, e zhvilluar në partneritet me gjigantin japonez të printimit “Dai Nippon” do të prezantohet këtë fundjavë në takimin e përvitshëm të Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës në Teksas. Ky produkt pritet të hidhet në treg brenda tre vitesh./lexo.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka përkujtuar heroin…