Shpikjet, shkatërrimi dhe zhvillimi

17 korrik 2022 | 09:12

Nga: Laert Miraku

 

Kanë kaluar 155 vjet nga demonstrimi i parë i fuqisë së dinamitit. Më 14 korrik të vitit 1867, shpikësi suedez i eksplozivit, Alfred Nobel, i tregon botës fuqinë e përzierjes gjeniale.

Shpikja e tij u përdor për të zhvilluar dhe për të shkatërruar. Zhvillmi ishte tek hapja e rrugëve në male, hapja e minierave  dhe tuneleve etj. Por, fatkeqësia ishte përdorimi i kësaj shpikjeje në ushtri për të vrarë kundërshtarët.

Përmes shpikjes së tij, Alfred Nobel arriti të bëhej i pasur, por edhe famëkeq. Në media raportohet për një ngjarje që tronditi botën e gjeniut. Mediat e huaja si “kolonë historike” shkruajnë se në vitin 1888, Alfred Nobel u befasua kur lexoi nekrologjinë e vet me titull “Vdiq tregtari i vdekjes”, në një gazetë franceze.

Për këtë ngjarje raportohet se kishte vdekur vëllai i tij, Ludvig, por Alfredi ishte shumë i shqetësuar se si do ta kujtonin kur të vdiste. Në fakt, dëshira e njeriut për të ditur se çfarë do të thonë të tjerët pas vdekjes së tij është shumë e madhe. Për këtë dëshirë të njeriut ka shkruar edhe Andon Zako Çajupi në komedinë “Pas Vdekjes”, që u realizua më pas film me të njëjtin titull. Personazhi kryesor, “Doktor Adhamudhi” – rol i luajtur në mënyrë brilante nga Kadri Roshi – kërkonte të dinte se çfarë do të shkruhej pas vdekjes së tij. Madje ishte i gatshëm që të paguante për këtë. Një pjesë e mirë e njerëzve që kanë bëre diçka në jetë nuk duan që të mbahen mend për keq. I tillë ishte dhe rasti i Alfred Nobel.

Pasi kuptoi se çfarë do të shkruanin gazetat për të pas vdekjes, Alfred Nobel vendosi të linte pas diçka që të kujtohej për të mirë. Duke iu referuar të dhënave historike dimë se Alfred Nobel ishte i interesuar personalisht në mjekësi eksperimentale dhe në testament kërkoi që kur të vdiste, me pasurinë e tij të krijohej një çmim për përparime përmes zbulimeve shkencore në laboratorë, “për të mirën e mbarë njerëzimit”, duke u vlerësuar me çmime për arritjet e tyre në Fizikë, Kimi, Letërsi dhe Paqe. Krijimi i një gjëje si rrjedhojë solli dhe krijimin e një gjëje tjetër.

Shumë shpikës kur krijojnë kanë gjithmonë në mendje parimin bazë “lehtësimi i jetës së tjetrit”. Në 200 vjetë e fundit janë bërë aq shumë shpikje sa e kanë transformuar jetën e njeriut në dimensione të ndryshme. Edhe kur shpikjet kanë qëllime të këqija, si është rasti i shpikjes së bombës bërthamore, pasojat e tmerrshme të së cilës i pamë kur u hodhën në Hiroshima dhe Nagasaki, gjithmonë mund të gjenden hapësira për t’u përdorur në të mirë të njerëzimit. Dëmet e dy bombave bërthamore të hedhura në Japoni qenë të mëdha dhe shumë tragjike. Kjo ishte arsyeja kryesore që Lufta e Dytë Botërore mbaroi dhe që sot nuk ndodhin me luftëra të mëdha, kjo për shkak të frikës së njerëzimit ndaj bombës atomike. Pas kërcënimeve të Putin se nëse lind nevoja do ta përdorë bombën atomike, kjo është një nga arsyet përse NATO nuk po futet në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë.

Të njëjtin “fat” si të dinamitit kishte më pas edhe bomba bërthamore. Për qëllime të garës në armatim, për qëllim të përfitimit të energjisë si dhe për qëllime tjera shoqërore dhe shkencore, në emër të kësaj “të drejte”, janë testuar rreth dy mijë shpërthime bërthamore të përmasave më të mëdha se dy shpërthimet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Bombat bërthamore dhe centralet bërthamore përdorin thuajse të njëjtën logjikë, fusionin bërthamor. I cili është procesi i ndarjes së bërthamës së rëndë të atomit në dy bërthama të lehta, gjatë bombardimit me neutrone.

Për furnizimin me energji elektrike të shumë shteteve dhe rolin e centralëve bërthamorë një pjesë e mirë e njerëzve kanë dijeni. Gjithashtu edhe për rrezikshmërinë e tyre pas shpërthimit të Çernobilit. Ata që nuk i jetuan ato kohë i përfytyrojnë pasojat edhe duke parë serialin televiziv “Chernobyl” të prodhuar nga HBO.

Shpikja e dinamitit solli më pas “Çmimin Nobel”, si vlerësimi më i lartë për gjenitë e fizikës, kimisë, letërsi, ekonomisë si dhe për ata që ndikojnë dhe promovojnë paqen në botë. Energjia e shpenzuar nga shkencëtarët për krijimin e bombës bërthamore, për nevoja ushtarakë, më vonë gjenialiteti i ndarjes së atomit u përdor krijimin e centralëve bërthamorë për krijimin e energjisë.

Komunikimi i brendshëm i kompjuterëve, duke shkëmbyer materiale dhe dokumente të ushtrisë amerikanë më vonë krijoj atë që njihej si World Wide Web dhe që sot të gjithë e njohim me fjalën Internet, e për të cilin shumica e njerëzve thonë se pa të jeta e tyre nuk do të kishte kuptim.

E tillë është bota, pa shpikje nuk ka zhvillim. Edhe kur disa shpikje janë përdorur për të dëmtuar njerëzimin me kalimin e kohës janë parë mundësitë që ato të përdoren që t’i shërbejnë njëzimit. Edhe energjia elektrike mund të të marrë jetën nëse bie në kontakt me të, por sot ajo përdoret pothuajse për çdo pajisje që kemi në shtëpi dhe zyra. Nëse nuk do kishte shpikje nuk do kishte zhvillim. Zjarri, rrota, gozhda, lentet optike, busulla, letra, shtypshkronja, telefoni, elektriciteti, penicilina, aeroplani dhe kompjuteri personal janë disa shpikje që revolucionarizuan historinë. Secila shpikje që është krijuar ka ndihmuar për t’i dhënë formë botës sonë. Të mos paragjykojmë shpikësin për të dënojmë ata që i përdorin për qëllime të këqija.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy mijë vjet më parë, bregu verior i Perusë së…