“Shpirtparajsa”, një perlë e veçantë letrare
Më 27 tetor 2017, në shtypshkronjën “Lena Grafic” (botim i ArtClub “Rifat Kukaj”), doli libri më i ri i krijuesit dhe studiuesit të palodhur Xhemail Peci, “Shpirtparajsa”. Si redaktor, librin e lexova në dorëshkrim dhe me plot gojën e them se ai paraqet një perlë të veçantë në letërsinë tonë moderne. Është një studim i stërholluar, ku është shkrirë një erudicion i paparë i një hulumtimi e studimi të gjatë nëpër margaritarët e përbotshëm për të dhënë një tekst unik, të nevojshëm për çdo lexues të vëmendshëm, madje edhe për studiuesit e mirëfilltë letrar e specialistët e eseistikes. Derisa libri të bjerë në duart e lexuesve, për kureshtarët, po paraqes vetëm fragmentin që e kemi vënë në pasballinë: Përpara se të shfaqej Aurora, shumë kohë përpara baletit elegant të fluturave, përpara se bletët të fillonin thithjen e pjalmit të luleve; përpara se ylberi të ndiente dhimbje për lotët e shiut duke ia falur si ngushëllim buzëqeshjen e ngjyrave të veta, përpara se të shfaqej fjala e zjarri i shenjtë i frymëzimit dhe, përpara se mbi artin poetik të shfaqej si një kurorë e shenjtë drite bekimi hyjnor, u shfaq ajo, Mbretëria e Fillimit dhe Paralaksa e Dashurisë: Shpirtparajsa!
Shpirtparajsa i shtriu kështu krahët e saj të bardhë përmbi gjithë universin. Ajo merr dhe rimerr kështu konturet e para të shfaqjes së saj: në të kaltërtën e syve ajo mban pasqyrat e qiellit dhe të detit bashkë. Shpirtparajsa bëhet kështu dëshmitarja më e mirë se: Krijuesi i Universit është Poeti më i Përsosur!
Nga thellësitë e shpirtit të saj si dhe nga shtresat më delikate të këtij shpirti, Shpirtparajsa dëshmon përjetësinë!
Po: Libri i Shenjtë i ka të gjitha!
Le të shterin të gjitha krojet, të gjitha ujëvarat, të gjithë lumenjtë, detet dhe oqeanet, le të pushojnë të gjitha simfonitë dhe operat botërore, e bashkë me to edhe këngët e zogjve e të kanarinave. Shpirtparajsa i ka të gjitha të ruajtura në magjinë e zërit të sferave qiellore. Në oktavat e një zëri të tillë, ajo shpalos një simfoni hyjnore tepër të veçantë sa dhe të papërsëritshme.
Duke e mbështjellë universin me krahët e saj dhe duke e mbajtur botën si një buqetë me lule, Shpirtparajsa shpëton çdo gjë.
Sepse ajo ka hyrë në universin e përjetësisë, shekuj drite më parë!
Urime e të lumtë pena Xhemail Ali Peci!