Shpresa Loshaj, laureate e Çmimit për Demokraci 2020 nga KCSF
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i ndau Çmimin për Demokraci 2020 aktivistes Shpresa Loshaj, për dedikimin dhe aktivizmin e saj në mbrojtjen e natyrës dhe ujërave në Lumbardhin e Deçanit.
Shpresa Loshaj ka vite që është angazhuar aktivisht në mbrojtje të lumenjve dhe ambientit jetësor nga dëmi që po u shkaktohet nga ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve në këtë pjesë të Kosovës.
Shpresa e pranoi Çmimin për Demokraci në mënyrë virtuale ndërsa në emër të saj, fizikisht pllakën e çmimit e pranoi aktivistja nga Deçani Edonjeta Iberhysaj bashkë me Grupin Anti SLAPP, grup i cili është duke e përkrahur Shpresa Loshajn sidomos ndaj padisë që është ngritur kundër saj nga Kompania Kelkos.
Çmimi për Demokraci është pjesë e programit EJA Kosovë, program ky i KCSF-së për përkrahje të shoqërisë civile që bashkëfinancohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Suedia.