Shpresoj që refuzimi i opozitës për tribunalin të jetë i përkohshëm

26 maj 2019 | 13:25

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka bërë me dije që klasa politike duhet të jetë unike në raport me themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo çështje është përgjegjësi e të gjithë përfaqësuesve të popullit, pushtetit dhe opozitës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gashi ka deklaruar se shpreson që refuzimi i LDK-së dhe LV-së për themelimin e këtij tribunali të jetë i përkohshëm.

“E kam thënë edhe një herë që për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shtetndërtimin, përgjegjësia është e të gjithë përfaqësuesve të popullit, pavarësisht janë në pushtet apo në opozitë. Nuk dua të besoj se në të ardhmen ndonjë subjekt politik shqiptar apo politikan individualisht nuk do ta mbështeste idenë e krijimit të këtij tribunali. Shpresoj se është refuzim i përkohshëm”, ka thënë Gashi.

Ai ka treguar se nuk do të jetë e lehtë arritja e këtij qëllimi teksa u ka rekomanduar institucioneve se çka duhet të bëjnë për të arritur deri te themelimi i tribunalit ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë.

“Një lobim i mirë pranë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare me ndikim do të mund të ndihmonte në sensibilizimin e nevojës për ngritjen e një tribunali të tillë”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe gjykatat vendore, duke i dënuar kriminelët serbë në mungesë, do ta sensibilizonin opinionin ndërkombëtar për krijimin e një tribunali të tillë. “Ndoshta dëshmitarët dhe gjykatat vendore, duke zbuluar dhe ngritur padi për kriminelët, qoftë edhe në mungesë (sepse një pjesë e madhe e kriminelëve potencialë serbë janë të lirë dhe gjenden në Serbi, madje edhe në institucione atje) do ta sensibilizonte drejtësinë ndërkombëtare për nevojën e ngritjes së një tribunali të tillë”, është shprehur Gashi.

Ai ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, duke thënë se ky proces duhet të vazhdojë pa kushtëzime. Sipas Gashit, Samiti i Berlinit ka qenë një impuls i ri dhe vëmendje e shtuar e dy vendeve më të fuqishme për procesin e dialogut.

“Pozicioni i largët i palëve dhe pafuqia e znj. Mogerini detyruan ndërhyrjen gjermano-frënge për ta shpëtuar  procesin e dialogut që kishte filluar të stërkeqej dhe largohej nga synimi i tij final, arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët që i hap rrugë normalizimit dhe njohjes reciproke mes dy shteteve. Pres që Samiti i Parisit të dalë me një itinerar konkret për rrjedhën e dialogut”, ka thënë Gashi.

“Epoka e re”: Profesor, 20 vjet pas luftës institucionet e Kosovës kanë filluar të tregohen më aktive në raport me krimet serbe. Kuvendi ka miratuar rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ka filluar iniciativën për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë. Çfarë do të thonë për Kosovën këto përpjekje?
Gashi: Nisma për të ndriçuar dhe kërkuar llogari për krimet serbe të kryera në Kosovë ka qenë dhe është e domosdoshme, por sigurisht është dashur të vijë shumë herët. Sidoqoftë, ajo duhet mbështetur me gjithë mundësinë që kemi, si institucione dhe si individë. Rezoluta e miratuar e Kuvendit është vetëm një legjitimim i këtij problemi dhe iniciativë për ta zgjidhur atë. Iniciativa e kryeparlamentarit Veseli është në funksion të realizimit të kësaj rezolute. Kërkesa e zotit Veseli është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kosova në procesin e krimeve të luftës së fundit në Kosovë, pothuaj që nga paslufta, është vënë padrejtësisht në pozicionin vetëm të jap llogari për krime të pabëra. Nisma e zotit Veseli është hapi i  parë që Kosova, si viktima potenciale e luftës (1998-1999), të kërkojë llogari nga pala serbe për krimet e bëra, e të dëshmuara katërçipërisht me mijëra varre e viktima të mbijetuara.

 “Epoka e re”: Si njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, sa janë gjasat që të ndodhë një tribunal i tillë dhe çka duhet të bëjnë institucionet tona për ta arritur këtë qëllim?
Gashi: Nuk është e lehtë të arrihet një gjë e tillë, aq më pak kur ka kaluar një kohë dhe fokusi i politikës ndërkombëtare nuk është shumë i përqendruar në Kosovë sikundër ka qenë gjatë dhe menjëherë pas luftës. Një lobim i mirë pranë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare më me ndikim do të mund të ndihmonte në sensibilizimin e nevojës për ngritjen e një tribunali të tillë. Ndoshta dëshmitarët dhe gjykatat vendore, duke zbuluar dhe ngritur padi për kriminelët qoftë edhe në mungesë (sepse një pjesë e madhe e kriminelëve potencialë serbë janë të lirë dhe gjenden në Serbi, madje edhe në institucione atje), do ta sensibilizonte drejtësinë ndërkombëtare për nevojën e ngritjes së një tribunali të tillë.

“Epoka e re”: Sikur në shumë tema të tjera, spektri politik nuk është unik as në këtë çështje. Dy subjektet më të mëdha opozitare e kanë lëshuar seancën e Kuvendit kur është diskutuar për tribunalin. Sa është i rëndësishëm uniteti i faktorit politik për këtë çështje?
Gashi: E kam thënë edhe një herë, që për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shtetndërtimin, përgjegjësia është e të gjithë përfaqësuesve të popullit, pavarësisht janë në pushtet apo në opozitë. Nuk dua të besoj se në të ardhmen ndonjë subjekt politik shqiptar apo politikan individualisht nuk do ta mbështeste idenë e krijimit të këtij tribunali. Shpresoj se është refuzim i përkohshëm.

“Epoka e re”: Spektri politik nuk është unik as rreth fazës finale të dialogut me Serbinë. Presidenti dhe kryeministri shpeshherë kanë dallim për këtë fazë të dialogut. Po dëmtohet Kosova me këtë qasje në këtë proces?
Gashi: Dialogu, mendoj unë, duhet vazhduar, por assesi i kushtëzuar në çfarëdo forme qoftë nga pala serbe. Dallimet mund të jenë në fazën përgatitore në qasje dhe strategji, por assesi në përmbajtje dhe përballë palës serbe.

“Epoka e re”: A ka ndryshuar diçka procesi i dialogut Kosovë – Serbi nga Samiti i Berlinit dhe cilat janë pritjet e juaja nga Samiti i Parisit ku do të diskutohet vetëm për këtë çështje?
Gashi: Mendoj se Samiti i Berlinit është një impuls i ri dhe vëmendje e shtuar e dy vendeve më të fuqishme për procesin e dialogut. Pozicioni i largët i palëve dhe pafuqia e znj. Mogerini detyruan ndërhyrjen gjermano-frënge për ta shpëtuar procesin e dialogut që kishte filluar të stërkeqej dhe largohej nga synimi i tij final, arritja e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët që i hap rrugë normalizimit dhe njohjes reciproke mes dy shteteve. Pres që Samiti i Parisit të dalë me një itinerar konkret për rrjedhën e dialogut.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja Rita Ora ka nisur turnetë në Mbretërinë e Bashkuar.…