‘Shpresojmë që s’do të ketë agjenda politike në Komisionin për të vërtetën në Kosovë’
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Philip Kosnett, ka marrë pjesë në dialogun publik “Rruga drejt Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë”.
Kosnetti ka thënë se shpreson që ky komision të punojë me të njëjtin guxim si vendet tjera.
“Është privilegj të jem këtu. Vendet tjera të dala nga lufta kanë përfituar nga komisionet e ngjashme duke krijuar bazë të shëndoshë për pajtimin e ardhshëm ndëretnik. Puna e një komisioni për të vërtetën është përgjegjësi e madhe pasi ka detyrim ndaj atyre që kanë humbur jetën, ndaj atyre që i përkujtojmë”, ka thënë ai.
Kosnetti ka thënë që i jep mbështetje ekipit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimit në Kosovë, duke shpresuar se nuk do të veprojë në bazë të ndonjë agjende politike.
“Pajtimi nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm ka të bëjë me angazhim të sinqertë për të kaluarën, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Ne e mbështesim punën duke nënkuptuar që ky ekip do të vazhdojë të veprojë pa ndonjë agjendë politike të përqendrohet në viktima dhe të jetë gjithëpërfshirës – të dëgjohet zëri i të gjitha viktimave”.
“Edhe komisioni i Kosovës të punojë me të njëjtin guxim. Mënyra më e mirë për t’i ndrequr të këqijat është duke ndriçuar të vërtetën për to”, është shprehur ambasadori Kosnett.