
Shqetësime mbi procesin e përzgjedhjes së Inspektorëve të Arsimit
Shkruan: Mentor Hajrizi
LETËR E HAPUR
E nderuar Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
Me shqetësim të madh po ju drejtohem për procesin e përzgjedhjes së Inspektorëve të Arsimit, i cili ka ngritur dilema të mëdha mbi ligjshmërinë dhe transparencën e tij. Ky proces, i cili ka një rëndësi thelbësore për cilësinë dhe integritetin e sistemit arsimor, është zhvilluar me shkelje të shumta ligjore dhe procedurale, që vënë në pikëpyetje drejtësinë dhe paanshmërinë e tij.
Disa nga shkeljet kryesore që cenojnë ligjshmërinë dhe transparencën e procesit janë:
1. Përplasja me ligjin për rekrutimin në shërbimin civil – Një anëtar i Komisionit të Pranimit ka mbajtur pozitë drejtuese në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe vetëm një muaj më vonë është emëruar në Komisionin për rekrutimin e Inspektorëve të Arsimit. Ky veprim bie ndesh me nenin 40, paragrafi 1 dhe 2 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë dhe nenin 20 të Rregullores Nr. 15/2023 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.
2. Përmbajtja jo e plotë e komisionit gjatë monitorimit të testit me shkrim – Procesi i testimit është zhvilluar pa të gjithë anëtarët e komisionit, duke rrezikuar besueshmërinë dhe barazinë në vlerësimin e kandidatëve.
3. Mungesa e qartë e strukturës organizative të Inspektoratit të Arsimit (IA) – Inspektorati i Arsimit ende funksionon pa një ligj specifik dhe pa përshkrime të sakta të pozitave të punës, gjë që bën procesin e rekrutimit të pasigurt dhe subjekt të manipulimeve.
4. Kandidatë të pranuar pa përvojë në mësimdhënie – Disa nga kandidatët e pranuar nuk kanë asnjë përvojë në mësimdhënie, megjithëse kjo është një kriter thelbësor për një Inspektor të Arsimit.
5. Mosrespektimi i afateve të ankesave – Kandidatët nëpër disa komuna ende nuk kanë pranuar vendime mbi ankesat e tyre, duke tejkaluar afatet ligjore dhe duke minuar besimin në procesin e rekrutimit.
Shkelje të tjera ligjore që rregullojnë organizimin e konkurseve publike:
• Ligji Nr. 08/L-197 për punësimin në administratën publike, veçanërisht nenet 9 dhe 10 që përcaktojnë afatet dhe procedurat për organizimin e konkurseve.
• Rregullorja Nr. 01/2023 për organizimin dhe zhvillimin e konkurseve publike, e cila kërkon një vlerësim të barabartë dhe të qartë për kandidatët.
• Rregullorja Nr. 15/2023 për parandalimin e ndikimeve partiake dhe për sigurimin e një procesi të drejtë dhe të paanshëm në vlerësimin e kandidatëve.
Për më tepër, edhe KPMSHCK-ja ka dështuar të evidentojë shkeljet dhe ka miratuar listat përfundimtare.
Për arsyet e sipërpërmendura dhe shumë të tjera, kërkoj nga Ju dhe Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative dhe Avokati i Popullit që të:
• Rishqyrtoni tërë procesin e rekrutimit;
• Anuloni vendimet e marra në kundërshtim me Ligjin;
• Siguroni një proces të drejtë, transparent dhe profesional, bazuar në përvojën dhe kualifikimet e nevojshme për pozitën e Inspektorit të Arsimit.
Ky shqetësim nuk është vetëm imi, por i shumë ekspertëve të arsimit, që po kërkojnë një sistem të ndershëm dhe të bazuar në meritë.
Shpresoj në reflektim dhe veprim konkret nga ana juaj dhe e institucioneve përgjegjëse.
Mentor Hajrizi,
Kandidat për pozitën e Inspektorit të Arsimit (IA)
28 mars 2025