Shqetësimet e Haradinajt me lëvizjet e shtetasve rusë në Kosovë
Disa lëvizje të shpeshtuara kohëve të fundit të shtetasve rusë në Kosovë, kanë shqetësuar kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar vigjilencë dhe kujdes të shtuar nga Policia e Kosovës, duke theksuar se Rusia ka për qëllim t’i realizojë agjendat e saj edhe në Kosovë.
“Mos lejoni që të krijohet vakuum që të shfrytëzohet prej armiqve të rendit publikë dhe të sigurisë, të përfitojnë edhe terrorizimi, por edhe mekanizma që janë të motivuar armiqësisht ndaj Kosovës. Në të kaluarën e kemi pasur rrezik të terrorizmin, por të mos harrojmë edhe ndikimin rus në Ballkan, dëshirën e tyre që agjendat e tyre t’i plasojnë në Ballkan dhe në Kosovë”, u është drejtuar krerëve të organeve të sigurisë në Kosovë, Ramush Haradinaj.
Lidhur me lëvizjet më të shpeshta të shtetaseve rus në Kosovë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës ka thënë se, “ajo është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saj në të gjitha rastet i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka”.
Po ashtu, në përgjigje thuhet “se në rastet kur personat e huaj, mund te bien ndesh me ligjin, apo kryejnë veprimtari të kundërligjshme, Policia e Kosovës ndërmerr veprimet e saj në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente të sigurisë dhe organet e drejtësisë”.
Ndërsa njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj interesave dhe ndikimeve të Rusisë në Ballkan. Sipas tij, Rusia në mënyrë specifike synon që t’i dekurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor në dy rrugët e tyre kryesore integruese, përkatësisht në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Nisur nga kjo bindje, Kastrati ka thënë se e kupton edhe shqetësimin e Haradinajt, i cili ka kërkuar nga organet e sigurisë që të jenë më vigjilente që mos të lejojnë të ndodhin gjëra të padëshirueshme, në kohën kur Kosova ende nuk ka krijuar institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
“Interesimi numër një këtu është i Serbisë për të mbajtur Kosovën sa më shumë në këtë situatë të paqartë. Rusia dëshiron që Ballkani Perëndimor të mos jetë pjesë e organizatës më të madhe politike-ushtarake, pra e NATO-s. Kështu që vite më parë, e kanë ndërtuar një bazë gjoja humanitare në Nish të Serbisë, e cila në të vërtet është bazë e inteligjencës dhe zbulimit dhe kundërzbulimit rus”, ka thënë Kastrati.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se pretendimet e Rusisë për rritjen e ndikimit në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën, janë të shumta dhe shprehen në forma të ndryshme. Kurse në Kosovë, thotë ai, rrezik i shtuar mund të paraqitet ndikimi i inteligjencës ruse përmes Serbisë.
Sa i përket qarkullimit të shtetasve rus në Kosovë në mënyrë ligjore, kjo formë sipas tij është e menaxhueshme nga Policia e Kosovës, por si problem ai i sheh tentimet për hyrje në Kosovë në mënyrë ilegale.
“Dihen tendencat dhe infiltrimet e tyre, që mund të jenë në cilësi të ndryshme, qofshin ta zëmë të gazetarit…, që mund të supozohen se mund të jenë edhe pjesë të inteligjencës ruse, por dihet edhe rasti jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, sikurse që ndodhi në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, ku sidomos në Mal të Zi, ka qenë edhe tentimi për komplot për të rrëzuar Qeverinë e Malit të Zi”, ka thënë Ibishi.
Policia e Kosovës, më 16 dhjetor ka ndaluar në Aeroportin e Ndërkombëtar në Prishtinë, një shtetas rus, i cili ishte duke bërë incizime të paautorizuar në aeroportin e vjetër të Prishtinës.
Edhe një shtetas rus, pjesëtar i UNMIK-ut, në muajin maj, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi është gjendur në afërsi të disa barrikadave, përmes së cilave është tentuar të pengohet Policia e Kosovës, në realizimin e një aksioni.
Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 1437 qytetarë rusë vitin e kaluar kanë vizituar Kosovën, ndërkaq deri në shtator të këtij viti numri i vizitorëve nga Rusia ishte 620 veta. Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës e kanë shumë të vështirë të udhëtojnë për në Rusi për shkak të refuzimit të menjëhershëm të pasaportave.
Edhe në fushën e ekonomisë, sipas autoriteteve të Kosovës, shtrirja e ndikimit rus, vjen kryesisht përmes Serbisë ndonëse investimet direkte në Kosovë janë në vlera minimale. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2019 nuk ka pasur investime direkte nga Rusia në Kosovë. Në fakt, i tërë stoku i akumuluar i investimeve nga Rusia në Kosovë deri në fund të muajit qershor, sipas BQK-së, është më pak se 200 mijë euro.