Shqetëson centrali bërthamor kinez, francezët: Rrezik për rrjedhje radioaktive
Janë ditë të tensionuara, në krahinën kineze të Guandong, e banuar nga rreth 126 milionë banorë.
Framatome, pjesë e gjigantit industrial francez Edf, ka sinjalizuar që centrali bërthamor në Taishan, që ndodhet pikërisht në këtë provincë, po monitorohet për dyshime mbi rrezikun e një rrjedhje të mundshme radioaktiviteti.
Situata po ndiqet nga afër edhe nga administrata amerikane, pasi vetë kompania franceze që menaxhon centralin kishte deklaruar se ekzistonte një “rrezik shumë i afërt radioaktiviteti”.
Sipas CNN, kompania franceze ka deklaruar edhe se autoritetet lokale kishin rritur artificialisht limitin e radioaktivitetit në mënyrë që të shmangte mbylljen e centralit.
Edhe pse për administratën Biden ende nuk është arritur niveli zyrtar i krizës, dhe Kina siguron funksionimin e dy reaktorëve, dyshimet për centralin me 3.3 gigawatt, i përuruar në 2018 mbeten të shumta, veçanërisht për dendësinë e popullsisë dhe distancën minimale, 130 kilometra, nga metropolë si Hong Kongu.