Shqetësuese në Podujevë vazhdon të mbetet grumbullimi i njerëzve në kafiteri, dasma dhe varrime
Në mbledhjen e Shtabit Emergjent të Komunës së Podujevës, të cilën e ka udhëhequr drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, u diskutua rreth zbatimit të masave mbrojtëse ndaj Covid-19 dhe gjendjen e përgjithshme epidemiologjike në Komunën e Podujevës.
Për statistikat aktuale dhe situatën epidemiologjike në Komunën e Podujevës, anëtarët e Shtabit Emergjent, i informoi epidemiologia, Bedrie Rama, e cila tha se situata me Covid-19 në komunën tonë ditëve të fundit ka një rënie të lehtë në numrin e të infektuarëve. “Mund të themi që kemi shenja të lehta pozitive drejt përmirësimit të gjendjes”, ka thënë ajo.
Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Zogiani, ka thënë se ekipet policore janë vazhdimisht në terren, duke përcjellur gjendjen rreth respektimit të masave dhe rekomandimeve nga IKSHPK dhe MSH.
Ai ka thënë se numri i fletparaqitjeve secilën ditë është në rritje dhe Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që të gjithë ata qytetarë apo biznese të cilët nuk i respektojnë masat do të përballen me ligjin.
Sipas Shtabit Emergjent, shqetësuese vazhdon të mbetet grumbullimi i njerëzve në raste siç janë: bizneset e fushës së gastronomisë që frekuentohen në numër i madh i qytetarëve, dasmat, varrimet dhe pritjet e të pameve apo ngushëllimet.
Drejtori i Inspeksionit, Durim Salihu tha se janë katër ekipe të inspektorëve në terren të cilat çdo ditë po përcjellin gjendjen dhe respektimin e masave dhe rekomandimeve të IKPSHPK dhe MSH.
(Q.R / Epoka e re)