Shqetësuese: Vitin e kaluar në institucionet e shëndetësisë janë shënuar rreth 1 070 aborte

04 dhjetor 2023 | 12:36

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është çnjerëzore detyrimi i heqjes së fëmijës të gjinisë femërore.

“Sot çdo grua në vendin tonë mund të përdor lehtësisht të gjitha shërbimet për të dalluar gjininë e fëmijës gjatë shtatzënisë. Por, ky mjet i shkencës për të ndihmuar jetën dhe shëndetin e njeriut nuk mund të përdoret kundër vet njeriut, gruas në këtë rast. Është çnjerëzore detyrimi me çfarëdo forme në heqjen e fëmijës së gjinisë femërore. Jo pse ka zgjedhur një grua të abortojë por sepse partneri apo rrethi familjar është duke ju përshkruar vajzën e ardhshme të dytë, apo të tretë si një vështirësi apo si një disavantazh. Pavarësisht nga zgjedhja e dikujt, aborti me përzgjedhje gjinore është një rast i qartë i diskriminimit me elemente edhe të dhunës fizike por edhe të asaj psikologjike”, ka thënë Vitia.

Më tutje, Vitia ka bërë me dije se vetëm vitin e kaluar në institucionet e shëndetësisë janë shënuar rreth 1 070 aborte.

“Sa i përket abortit në vendin tonë, për shkak të arsyeve të ndryshme, fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të sakta meqenëse aborti ende mbetet një sfidë dhe shumë herë me të dhëna të nën raportuara. Kurse për të dhëna të abortit selektiv nuk mund të flasim fare, meqenëse Ligji për ndërprerjen e shtatzënisë lejon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 10-të, kurse përzgjedhja e gjinisë me këtë ligj është e ndaluar. Sipas të dhënave të vitit 2022, janë raportuar diku rreth 1 070 aborte në institucione shëndetësore, shifër kjo që mund të jetë shumë herë më e lartë”, ka thënë ministri i Shëndetësisë.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se gjatë fushatës globale është vrarë Liridona Ademaj, rast ky që ka tronditur jo vetëm Kosovën.

“Për fat të keq jemi përsëri edhe sivjet në këtë fushatë globale ku ne u përballëm me një krim që tronditi Kosovën, ku një grua padrejtësisht në mënyrë kriminale dhe gjakftohtë u privua nga e drejta e saj për jetë. Dhe kjo e tregon se sa shumë është e rëndësishme aktivizimi, përgjegjësia, angazhimi i të gjithë neve, i gjithë shoqërisë por sidomos i institucioneve tona për të rritur vetëdijen për të drejtat që obligojnë që t’i respektojmë, për vetëdijesimin e vajzave dhe djemve tanë. Pra, ashpërsimi i masave të kriminelëve dhe për të krijuar mjedis të sigurt për vajzat dhe gratë tona”, ka thënë Nagavci.

Nagavci ka thënë se aborti selektiv është praktikë e cila ndikon negativisht në aspektin e përgjithshëm emocional të nënave.

Ndërsa udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-s, Visare Mujko – Nimani, ka thënë se ndër vite ka pasur më shumë lindje të djemve se sa të vajzave.

Fushata globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore” ka për qëllim eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave. Kjo fushatë do të përfundojë më 10 dhjetor. /Ksp

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një reagimi…