Shqipe Selimi: Dorëheqja e Ramës edhe për ne ishte befasi, por tashmë ushtria është në duar të sigurta
Deputetja e LV-së që është edhe anëtare e Komisionit parlamentar për Siguri, Shqipe Selimi, gruaja e Rexhep Selimit, ka folur për dorëheqjen e komandantit të FSK-së, Rrahman Rama.
Ajo thotë se Ministri Mehaj është ftuar për raportim në Komisionin për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes pas dorëheqjes së Rrahman Ramës.
Deputetja thotë se opinioni publik nuk duhet të shqetësohet me dorëheqjen e komandantit të FSK-së, pasi sipas saj tashmë ushtria është në duar të sigurta.
“Edhe për neve si anëtarë të Komisionit për Siguri ishte befasi dorëheqja e Rrahman Ramës dhe për këtë do ta kemi Ministrin e Mbrojtjes në raportim. Mirëpo ushtria është në duar të sigurta. Ushtria tashmë është në duar në gjeneral Bashkim Jasharit. Një gjeneral që ne do ta kemi nderin që e kemi në krye të ushtrisë”, tha Selimi në “Debat Plus”.
Selimi thotë se është e pabesueshme që Ministri Mehaj me një karrierë të bujshme ndërkombëtare të bëjë lëshime elementare sa u përket përdorimit të mjeteve të FSK-së.
“Kosova ka institucione stabile. Ministri i Mbrojtjes i di rregullat dhe ligjet. Nuk e besoj se një ministër i tillë me karrierë ndërkombëtare të bëjë gabime të tilla [në lidhje me përdorimin e automjeteve të FSK-së]”, tha ndër të tjera Shqipe Selimi.