Shqipëri: 25 të vdekur në punë në vetëm në 6 muajt e fundit
25 persona kanë humbur jetët në vendet e punës në vetëm gjashtë muajt të fundit në Shqipëri.
Kjo shifër është bërë publike në “Wake Up” në “Top Channel” nga Irena Gjoka, përgjegjëse e sektorit të inspektimit të sigurisë në punë.
Gjoka ka pranuar se ka fshehje të aksidenteve që ndodhin në punë dhe se 10 për qind të rasteve që hetohen nga Inspektoriati i Punës janë raportuar me vonëse.
Këto raportime bëhen kryesisht nga vetë punëmarrësit e dëmtuar ose familjarët e tyre, mediat apo policia, ndonëse është subjekti punëdhënës që duhet të raportojë menjëherë aksidentin.
Sektori më problematik sa i përket aksidenteve vijon të mbetet ai i ndërtimit, por edhe sektori i fasonerisë.
Sipas Gjokës, Inspektoriati ka rritur me 34 për qind inspektimet në vendet e punës krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Edhe pse ka pranuar se ka rritje të aksidenteve, Gjoka tha se nuk bëhet fjalë për përkeqësim të situatës, por për një ndërgjegjësim nga punëmarrësit dhe punëdhënësit për të raportuar aksidentet.
Irena Gjoka ka thënë se parandalimi i aksidenteve duhet të fillojë që me hapjen e një subjekti, nëse i përmbush rregullat e sigurisë në punë, si dhe me shtimin e inspektimeve.