Shqipëri: 62 gra raportuan se po përndiqen online, i dyshuari del të jetë një 34-vjeçar shqiptar i burgosur në Francë

09 gusht 2024 | 15:06

Kallëzimet e disa grave në policinë e shtetit shqiptar kanë zbuluar një përndjekës online.

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë thotë se ka zbardhur dhe dokumentuar 62 raste të përndjekjeve online, të kryera të gjitha nga 34-vjeçari me iniciale F.D., i cili aktualisht ndodhet në burg në Francë.

“Gjatë hetimeve të kryera, janë siguruar prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin se shtetasi F. D., 34 vjeç, i cili aktualisht vuan dënimin në një burg në Francë për veprat penale ‘Vjedhje me pasoja të rënda’ dhe ‘Komplot kriminal’, parashikuar nga Kodi Penal Francez, ka konsumuar veprat penale ‘Falsifikimi kompjuterik’, ‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’, ‘Perndjekja’, dhe ‘Ndërhyrje të padrejta në jetën private’”, ka thënë Policia e Shtetit.

Më tej thuhet se pas identifikimit të interceptimeve kompjuterike që vinin nga burgu “Lyon Cobras”, në Francë, është bashkëpunuar me Interpol Tirana dhe autoritetet franceze dhe është ushtruar kontroll në qelinë ku ndodhet shtetasi F. D., “dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar aparati celular që ky shtetas përdorte për veprimtarinë kriminale”.

“Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ndërhynte në profilet e rrjeteve sociale (kryesisht Tik Tok dhe Instagram) të shtetaseve të ndryshme dhe pasi merrte fotografi nga profilet e tyre, i publikonte ato në profile false të krijuara prej tij, duke vendosur përshkrime denigruese. Autori më pas i shantazhonte këto shtetase, duke i kërkuar fotografi dhe video intime në këmbim të fshirjes së materialeve të publikuara prej tij”, ka njoftuar Policia e Shtetit shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para stacionit policor në Graçanicë është organizuar një protestë kundër…