Shqipëri, arrestohet një person për terrorizëm
24 maj 2022
| 20:56
Në Shqipëri të martën, është arrestuar një person për nxitje të terrorizmit. Policia thotë se i dyshuari, përmes rrjeteve sociale kishte bërë thirrje për të sulmuar institucionet shtetërore dhe kishte përkrahur organizata terroriste.
56-vjeçari nga Kukësi, sipas policisë, është një person me prirje ekstremiste fetare.
Pas hetimeve të kryera për disa muaj, policia thotë se ka identifikuar se ky person fshihej pas disa profileve të rreme në rrjetet sociale ku postoheshin shkrime të ndryshme në përkrahje të grupit militant, Shteti Islamik (IS), apo thirrje për përkrahje të luftës në Siri.
I dyshuari akuzohet për veprën penale “nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.