Shqipëri-Çeki, atmosferë e jashtëzakonshme e Tifozave Kuq e Zi para ndeshjes
E gjithë Shqipëria po bëhet gati për të ndjekur ndeshjen vendimtare të Kombëtares kundër Çekisë, ku një fitore në “Arenën Kombëtare” do të rriste shanset tona për të kryesuar grupin në Ligën B të Nations League.
Para takimit, Tifozat Kuq e Zi, grupimi që ndjek prej dy dekadash skuadrën kombëtare në çdo ndeshje brenda dhe jashtë fushës, realizuan një spektakël të vërtetë me fishekzjarrë si dhe bënë një parakalim madhështor drejt stadiumit.
Kombëtarja ka nevojë për mbështetje nq çdo takim dhe TKZ nuk kursehen kurrë…
Nga ana tjetër, sa i përket asaj që do të ndodhë në fushën e lojës, duket se trajneri Sylvinho nuk do të ndryshojë asgjë, duke lënë mënjanë eksperimentet dhe duke i qëndruar besnik skemës së tij të preferuar 4-2-3-1.
Porta është e sigurt me gardianin Thomas Strakosha. Mbrojtja nga krahët do të ketë Mario Mitaj në të majtë dhe Ivan Balliu në të djathtë ndërsa qendra me Ismajlin dhe Ajetin, ky i fundit për shkak të dëmtimit të Gjimshitit me Atalantën. Në mesfushë Asllani Ramadani dhe para tyre Qazim Laci. Ndërkohë pak më të avancuar janë Asanin dhe Bajrami që do të ndihmojnë majën e sulmit Indrit Tuci. Për fatin e mirë tekniku Silvinjo, pas seancës së fundit stërvitore, grupi ishte i plotë dhe pa probleme.
Me një stadium me kapacitet të plotë, qëllimi është një dhe i vetëm të marrin 6 pikë të plota në dy ndeshjet e fundit në grup për të arritur objektivin e vendit të parë. (A2 Televizion)