Shqipëri, emigrimi i fëmijëve të pashoqëruar në vendet e BE-së, fenomen shqetësues

11 qershor 2023 | 11:39

Shqipëria vazhdon të përballet me një prej fenomeneve më shqetësuese të viteve të tranzicionit, atë të emigracionit. Studiuesit veçojnë në të, elementin e azilkërkuesve në vendet e BE-së, që sipas tyre meriton vëmendje.

Që prej vitit 2012 sipas të dhënave të Eurostat, në vendet e BE-së, kanë kërkuar azil mbi 230 mijë shtetas shqiptarë, mes tyre 66 mijë e 800 fëmijë, ose rreth 28.5%, pjesa më e madhe nën 14 vjeç. Këto shifra në lidhje me fëmijët emigrantë e vendosin Shqipërinë në vendin e pestë, menjëherë pas vendeve që kanë njohur luftëra e konflikte si Afganistani, Siria apo Iraku.

Sipas të dhënave kjo prirje vazhdoi edhe në vitin 2022. 11 600 shtetas shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE-së, 34% e tyre fëmijë. Por për studiuesit fytyra më e trishtuar e këtij e emigracioni është ajo e fëmijëve të pashoqëruar.
Sipas Eurostat 2 120 fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, për periudhën 2012-2022. Kjo sipas studiuesve e bën Shqipërinë vendin e vetëm europian me një numër kaq të lartë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar nga familja.

“Zëri i Amerikës” bisedoi me një të ri shqiptar në Francë që kërkoi të mbetej anonim. Ai u largua në moshën 16 vjeçare nga Shqipëria për të kërkuar azil, i pashoqëruar nga prindërit. Arriti ta fitojë atë, ndërsa tregon arsyet pse ndërmori këtë rrugë plot rreziqe.

“Bëra shkollën 9 vjeçare dhe nuk kisha mundësi për shkollën e mesme. Edhe po ta vazhdoja, do merrja një diplomë, gjendje pune Shqipëria nuk ka. Shikoja shokët e mi, kishin vazhduar shkollën e lartë, kishin diplomë por nuk kishin punë. Thjesht e kuptova dhe u nisa këtej. U largova nga Shqipëria, të kisha një të ardhme për veten time dhe të ndihmoja familjen”, tha për “Zërin e Amerikës” një i ri në Francë që nuk dëshironte të identifikohej.

Ky i ri arriti ta fitojë azilin në Francë, dhe sot në moshën 20 vjeçare punon me një kontratë të rregullt në sektorin e ndërtimit, por ai dhe mjaft të tjerë, kanë përshkuar një rrugë të vështirë.

Mbi ta ka rënduar një peshë që e tejkalon moshën e tyre dhe jo të gjithë ja kanë dalë. Ata mbërrijnë në vende të BE, të pashoqëruar nga prindërit, por në shumicën e rasteve, të nxitur nga ata dhe me miratimin e tyre. Deklarohen në strukturat e vendit pritës si minorenë dhe merren në mbrojtje si të tillë. Kjo rrugë përdoret prej tyre me qëllim përfitimin e dokumentave të qëndrimit në këto vende më me lehtësi se një azilkërkues i rritur.

Elda Spaho Bleta, gazetare dhe eksperte komunikimi, e angazhuar vullnetarisht në qendra ku strehohen të mitur të pashoqëruar në Francë, vendi i tretë destinacion në BE, për azilkërkuesit, thotë për “Zërin e Amerikës”, se fëmijët kanë të njëjtat arsye si të rriturit, kur kërkojnë azil, kryesisht për një të ardhme më të mirë. Por rruga e tyre, siç shprehet ajo është shpeshherë mjaft e rrezikshme.

Njohës të zhvillimeve shoqërore në Shqipëri konstatojnë se fenomeni i fëmijëve azilkërkues të pashoqëruar e ka burimin te gjendja ekonomike dhe sociale e familjes, varfëria, divorci apo konfliktet e ndryshme. Gëzim Tushi, sociolog ngarkon me përgjegjësi strukturat shtetërore, që siç thotë ai duhet ta parandalojnë këtë fenomen.

Agjencia shtetërore për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, thotë se në bashkëpunim me struktura të tjera shtetërore, po punon me familje dhe prindër në komunitet, për ndërgjegjësimin e tyre, mbi rrezikun që i kanoset fëmijës kur emigron i vetëm. Sipas kryetares së kësaj agjensie Alma Tandili, po i kushtohet rëndësi politikave social-ekonomike dhe forcimit të kontrolleve në kufi, me qëllim parandalimin e këtij fenomeni.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së…