Shqipëri, kriza për punëtorë rrit numrin e pensionistëve të punësuar

30 korrik 2023 | 11:18

Shefqet Hasa duhej të kishte dalë në pension para tre vjetësh, por vazhdon të punojë si shofer në transportin publik në Tiranë.

Si ai janë edhe rreth 60 punonjës të tjerë në transport. Por, ky nuk është sektori i vetëm, ku ka rritje të pensionistëve të punësuar.

Sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri, numri i pensionistëve të punësuar u rrit për 17% në tremujorin e parë të vitit 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Paga mesatare në këtë vend është mbi 500 euro.

Transporti vuan mungesën e shoferëve, “zgjidhje” pensionistët

“Punoj prej 45 vjetësh si shofer dhe aktualisht drejtoj urbanin në linjën Kamzë-Tiranë. E kam mbushur moshën e pensionit tre vjet më parë, por vazhdoj të punoj edhe për arsye ekonomike, se pensioni është 19 mijë lekë [190 euro] dhe nuk më del as për ilaçe. Por, edhe meqë ka mungesë shoferësh, mu kërkua ta vazhdoj punën. Sa të kem mundësi dhe shëndet, do të punoj”, thotë Hasa.

Mungesën e shoferëve e thekson për Radion Evropa e Lirë edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban të Shqipërisë, Dashnor Memaj.

“Shqetësim i frikshëm i momentit është largimi në masë i punonjësve të këtij sektori, kemi nevojë për mbi 1.500 punonjës të kategorive të ndryshme: shofer, faturino, punonjës servisi etj. Për ta mbuluar këtë hendek të punonjësve, jemi munduar ta mbajmë edhe kategorinë që ka plotësuar moshën e pensionit. Aktualisht, në sektorin e transportit janë të punësuar rreth 60 pensionistë”, thotë Memaj.

Ai thotë se vendet e lira të punës janë të shpallura, por se ka mungesë interesi.

“Para disa vitesh për një vend pune kemi pasur 10 aplikime, sot për 10 vende pune kemi një aplikim. Punonjësit e rinj nuk kanë interes për të punuar në sektorin tonë, sepse po shohin tregun evropian për kushte më të mira dhe paga më të larta”, thotë Memaj.

Ai shton se për këtë sektor nuk mund të shërbejë si zgjidhje as “importimi” i fuqisë punëtore, siç ka ndodhur në sektorë të tjerë.

“Ndryshe nga sektorët e tjerë, punësimi i të huajve është i pamundur, sepse duhen patentat dhe kualifikimet përkatëse, që një i huaj nuk i bën për një periudhë të shkurtër kohe, sepse të jesh shofer në transport publik është përgjegjësi e madhe”, thotë Memaj.

Të njëjtën gjë e pohon edhe Tonin Gjinaj, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës kombëtare të Auto-shkollave.

“Unë kam dy të punësuar mbi moshën 65-vjeçare. Kemi kërkuar punonjës të rinj, por është e pamundur të gjesh. Instruktorët e praktikës në auto-shkolla lejohen ta ushtrojnë profesionin deri në 70 vjeç, pas ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor, kështu që ne jemi të detyruar t’i punësojmë, janë zgjidhje e mirë për ne, sepse janë profesionistë, ndërsa të rinjtë nuk vijnë ta bëjnë këtë punë”, thotë Gjinaj.

Pensionistë të punësuar edhe në bar-restorante

Transporti nuk është i vetmi sektor që po sheh si zgjidhje punësimin e pensionistëve. Edhe baret dhe restorantet po vuajnë mungesën e punonjësve dhe shohin si zgjidhje punësimin e pensionistëve.

Majlinda Sejdini drejton një bar-restorant në Tiranë që nga viti 2004 dhe pohon se e ka parë si zgjidhje të mirë mbajtjen në punë të punonjësve që kanë kaluar moshën e pensionit.

“Kemi biznes familjar dhe punësojmë pak njerëz se kaq është mundësia, por sërish mungon krahu i punës. Nuk ka të rinj që pranojnë të punojnë si pjatalarës, apo punë në kuzhinë. Për këtë arsye punësojmë pensionistë. Aktualisht, kam punësuar një pensioniste. Kishte dalë në pension prej vitesh, e kam fqinje, duke qarë hallin se nuk po gjej punëtorë, ramë dakord që ajo të vijë të punojë në kuzhinë, në restorant”, thotë Sejdini.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 160 vitet në të cilat është studiuar “duartësia” ne…