Shqipëri: Në 4 muajt e parë të 2024-ës, 50 sulme seksuale me 53 te lënduar, 15 nga ta të mitur
Referuar statistikave të Policisë së Shtetit, në vetëm 4 muajt e parë të këtij viti në Shqipëri, kanë ndodhur 50 krime seksuale me 53 te lënduar nga të cilët 15 janë të mitur.
Në të njëjta shifra këto vepra penale ishin edhe vitin e kaluar ku në rang vendi ka pasur 170 krime me natyrë seksuale, raporton Top Channel.
Numri më i madh tyre është shënuar në Tiranë për shkak të dendësisë së popullsisë. Rastet më të shumta janë për ngacmime seksuale dhe veprime të turpshme.
“Numri do të rritet nëse pushteti vendor, policia dhe gjykatat nuk marrin masa, te afishohen në çdo qendër banimi emrat e të dyshuarve si agresor apo të dënuarve për dhunë seksuale. Shoqëria duhet të reagojë. Ligjet i kemi, të zbatohen“, shprehet avokati, Saimir Vishaj.
Për të mbrojtur të miturit në ndryshimet që pritet ti bëhen kodit penal është propozuar që mosha minimale e aprovimit për të kryer marrëdhënie me dëshirë të rritet nga 14 që është në 16 vjeç.