Shqipëri, pasiguria tek të rinjtë ul ndjeshëm martesat

18 maj 2023 | 13:10

Në Shqipëri gjatë viteve të fundit po vihet re një fenomen shqetësues për studiuesit e zhvillimeve shoqërore, ai i rënies së numrit të martesave.

Në dekadën e fundit ato janë tkurrur me rreth 18 për qind krahasuar më atë paraardhëse, dhe po kaq në vitin 2021, ose me rreth 4 mijë më pak, krahasuar me mesataren e pesë viteve të fundit.

Studiuesit mendojnë se të rinjtë sot e shtyjnë moshën e martesës të kushtëzuar nga disa faktorë, që lidhen me karrierën, arritjet profesionale, punën dhe të ardhurat financiare.

Sipas statistikave të INSTAT, sot papunësia në radhët e të rinjve të moshës 15 deri 29 vjeç është mbi 20 për qind, ose 10 pikë përqindje më e lartë se niveli i papunësisë në tërësi.

Këto tregues sipas ekspertëve ulin mundësitë për krijimin e familjes dhe të sjelljes në jetë të fëmijëve.

“Zëri i Amerikës” pyeti disa qytetarë, mes tyre dhe të rinj, mbi këtë fenomen. Ata veçuan si pengesën kryesore, për krijimin e martesës, mundësitë e kufizuara ekonomike.

“Duhet parë me zhvillimin e shoqërisë. Tani secili do të jetë i pavaruar, martesa është obligim. Njerëzit kanë shumë pasiguri”, u shpreh Gresilda Merkaj, studente. “Pengesë është ekonomia e dobët, tradhtia. Të rinjtë nuk i besojnë më martesës, dashurisë, besimi është shkëputur. Ka shumë faktorë që nuk arrijnë sot të rinjtë njerëzit të binden për martesën”, tha Anxhela Kollozaj, studente. “Nuk martohen sepse nuk janë të sigurt, shtëpi s’kanë, punë s’kanë dhe nuk kanë siguri për jetën”, vijoi Xhevat Hysenaj, qytetar nga Tirana.

Sociologët vërejnë se në prag të një martese, hyjnë disa faktorë në lojë, ku kryesoret janë, puna, të ardhurat dhe strehimi.

“Pyetja që ne shtrojmë është: A është e mundur që me të ardhurat mesatare ne të garantojmë mundësinë e të paturit të një çatie mbi kokë? Kërkohet një siguri kontraktuale. A është e mundur që ne sot të garantojmë këtë siguri kontraktuale? Fillimisht ne duhet të sigurojmë nevojat më bazike dhe nevojat për siguri. Nevojat për siguri përkthehen në nevojë për një kontratë pune të sigurt dhe nevojë për një strehë të sigurt”, u shpreh për Zërin e Amerikës Ela Tollkuçi, psikologe sociale.
Arjana Muçaj, shefe e Departamentit të Pedagogji – Psikologjisë në Universitetin e Tiranës, ka theksuar se ka një disbalancë shumë të madhe mes të ardhurave që kanë të rinjtë sot dhe asaj çfarë ata duan të krijojnë në të ardhmen e tyre. “Dhe kjo ndonjëherë bën që ata të ndihen të paplotësuar”, tha Muçaj.

Një nga të dhënat që e bën më të vështirë situatën e të rinjve në vend, lidhet me faktin se sipas INSTAT, 26.1 për qind e të rinjve të grupmoshës 15-29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë.

Autoritetet thonë se kanë marrë masa për të ulur papunësinë dhe nxitur aftësimin profesional tek të rinjtë, përmes disa nismave të posaçme.

Sipas tyre ka nisur të zbatohet një program për Kodimin, që parashikon subvencionimin nga buxheti i kurseve për të rinjtë në këtë fushë, gjithashtu dhe ofrimin e kurseve falas për profesione të kërkuara në treg si hoteleri turizëm, grafik dizajn dhe aftësi digjitale.

Mbështetje ofrohet edhe për çeljen e bizneseve të reja, dhe 50 për qind e përfituesve, thonë zyrtarët, aktualisht janë të rinj.
Gjithashtu dhe bizneseve që punësojnë të rinj të papunë u subvencionohet gjysma e pagës për ta. Sipas tyre, fokus të veçantë këtë vit do ketë një program që aplikohet edhe ne vendet e BE, ai i garancisë rinore.

“Garancia rinore parashikon ofrimin e një mundësie punësimi brenda katër muajve, trajnimi ose edukimi për çdo të ri që është jashtë tregut të punës, pra i papunë, nuk është në një formim profesional ose nuk është në një proces edukimi”, u shpreh Klevis Hysa, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Punës dhe Aftësimit.

Bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës, prej 5 vitesh ofron disa lehtësira në strehim për çiftet e reja 25 deri 35 vjeç. Autoritetet lokale në kryeqytet u ofrojnë atyre kredi të buta, duke subvencionuar interesat e kredisë në blerjen e një banese. Deri tani kanë përfituar mbi 1 mijë çifte të reja thonë zyrtarët.

“Çiftet e reja janë prioritet dhe tek programet e reja të strehimit, siç janë bonusi i qerasë dhe banesat sociale, edhe pse realisht në disa programe synojmë shumë që një pjesë e mirë të jenë dhe persona që janë pa të ardhura ekonomike apo nga grupime të tjera sociale, por gjithsesi çiftet e reja janë prioritet”, u shpreh Anisa Subashi, drejtoresh e Shërbimit social në Bashkinë e Tiranës.

Por sociologët thonë se kostot e jetesës po rriten çdo ditë, në raport me mundësitë. Qeveria ka njoftuar rritjen e pagës mesatare në rreth 900 euro ose me 67 për qind, ka rritur pagën minimale, pagën në disa sektorë publikë, por statistikat e papunësisë në radhët e të rinjve me 20 për qind i zbehin këto nisma.

Studiuesit vënë re me shqetësim se rënia e numrit të martesave po shoqërohet dhe me rritjen e divorceve, tregues që sipas tyre e vendosin familjen shqiptare në krizë. Zhvillimet e vrullshme social-ekonomike në vend, emigrimi, papunësia, informaliteti në ekonomi, kanë sjellë pasiguri të shumta, thonë ata, ndaj martesa nuk është në planet e të rinjve.

Kostot e kësaj krize kanë filluar të ndihen me rënien e numrit të lindjeve në vend, rritjen e moshës mesatare të popullsisë, pra plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore dhe raportin e zhdrejtë mes kontribuesve dhe përfituesve në skemën e sigurimeve shoqërore.

Këta faktorë e dëmtojnë shoqërinë në terma afatgjatë, argumentojnë studiuesit, ndaj dhe masat e ndërmarra për parandalimin e tyre kanë ndikim të ulët në shoqëri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovës…