Shqipëri, qendrat e azilit për refugjatët gati për përdorim
Me disa muaj vonesë qendrat italiane të pritjes së migrantëve në Shqipëri pritet të vihen në funksionim. “Dy strehimoret janë gati për përdorim”, tha ambasadori italian, Fabrizio Bucci, gjatë vizitës në këto qendra.
Italia do t’i strehojë në Shqipëri refugjatët derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil.
Kampet e pritjes për strehimin e tyre janë gati.
Nëse ky model mund të shërbejë për të gjithë Europën, është e diskutueshme. “Të dy strehimoret janë sot të gatshme për t’u përdorur”, tha ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, gjatë një vizite (11.10.2024) në këto dy qendra. Megjithatë është e paqartë, se kur do të mbërrijnë aty për herë të parë refugjatët. Në të dy qendrat do të vendosen personat, të cilët autoritetet italiane i kapin në det të haour në bordet e anijeve me refugjatë në Mesdheun qendror. Sipas qeverisë italiane në këto qendra mund të strehohen dhjetëra mijë vetë, shkruan DW.
Italia planifikon fillimisht që të përdorë portin e Shëngjinit në Adriatik për verifikimin fillestar të refugjatëve. Më pas ata do të strehohen në kampin qendror në Gjadër. Që këtej qeveria italiane do të shqyrtojë kërkesat për azil.
Migrantët e klasifikuar si vulnerabël gratë e fëmijët, nuk do të strehohen në këto qendra, por do të dërgohen në Itali. Vetëm nëse kërkesa për azil miratohet, njerëzve do t’u mundësohet hyrja në Itali. Nëse aplikimi refuzohet, sipas planeve, dëbimi do të jetë i mundur me procedurë më të shpejtë. Organizatat e të drejtave të njeriut e kritikojnë ashpër këtë model.
Një zgjidhje për BE-në?
Italia është një ndër vendet e BE-së më të prekura nga lëvizjet e migracionit nga Afrika drejt Europës përmes Detit Mesdhe. Kryemnistrja italiane Giorgia Meloni në vjeshtë 2022 mori postin me premtimin, se do ta kufizojë migracionin drejt Italisë. Përpara një viti ajo ra dakord me homologun shqiptar Edi Rama për ndërtimin e qendrave – fillimisht me afat për pesë vjet me një investim prej 670 milionë eurosh. Italia dhe Hungaria kanë propozuar që ky parim të shtrihet në të gjithë BE-në duke ngritur të ashtuquajturat “qendra të kthimit”, ku migrantët pa të drejtë qendrimi të dërgohen në vendet jashtë BE-së. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen vitin e kaluar u shpreh pro marrëveshjes italo-shqiptare. Të tjera shtete të BE-së e konsiderojnë si të papërshtatshme këtë marrëveshje.